Kompania kineze thotë se vaksina e saj nxit prodhimin e antitrupave kundër Covid-19

E publikuar: 15/06/2020 10:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një kompani kineze ka thënë se vaksina e saj eksperimentale kundër koronavirusit e ka nxitur prodhimin e antitrupave që e luftojnë këtë virus në organizmin e njeriut.

Kompania “Sinovac Biotech Ltd” është duke e testuar një vaksinë në më shumë se 700 vullnetarë në një proces të përshpejtuar, ku janë kombinuar faza e parë dhe faza e dytë, shkruan “CNN”.

“Rezultatet klinike të fazës së dytë tregojnë se vaksina i nxit antitrupat neutralizues 14 ditë pas vaksinimit”, tha kjo kompani përmes një deklarate.

Kompania gjithashtu njoftoi se më shumë se 90 për qind e 600 vullnetarëve që morën pjesën në fazën e dytë të testimit i zhvilluan këta antitrupa.

“Sinovac është duke bashkëpunuar me Institutin Butantan në Brazil për ta përgatitur dhe për ta kryer fazën e tretë të studimit”, thuhet më tej në deklaratë. Faza e tretë është hapi i fundit për të parë nëse një vaksinë funksionon para se të kërkohet miratimi nga autoritetet rregulluese.

Disa kompani nga pjesë të ndryshme të botës janë duke bërë hulumtime dhe përpjekje për zbulimin sa më të shpejtë të një vaksine kundër koronavirusit të ri. Në Shtetet e Bashkuara, kjo punë po bëhet përmes përdorimit të materialit gjenetik të virusit.