Kompania fajtore për vdekjen e 21 vjeçarit nga Suhareka në vendin e punës

E publikuar: 24/03/2019 22:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Krenar Jemini, vdiq në mbrëmjen e 24 shkurtit, në vendin ku punonte për të siguruar jetesën. 21 vjeçari u aksidentua në shiritin transportues të koksit te kompania Lab-Oil në Graçanicë. Ky vend pune, i cili ishte fatal për Jeminin, u inspektua nga Inspektorati i Punës.
E nga raporti final i tyre po del se shkaktar i aksidentit ishte punëdhënësi. I painformuar për rrezikun e punës, 21 vjeçari kishte ndërhyrë në punën e shiritit transportues, veprim ky fatal për të. Punëdhënësi ka parë edhe kontratën e punës së Jeminit, e cila rezultoi se kishte mangësi të shumta. Përshkrimi i vendit të punës, i cili edhe ashtu nuk ishte i saktë, nuk ishte nënshkruar nga punëdhënësi e punonjësi, kësisoj nuk do të prodhonte efekt juridik. Përveç se punëdhënësi nuk ishte i trajnuar për të punuar në atë vend, Jeminit nuk iu kishte bërë as kontrollimi mjekësor. 21 vjeçari ishte i pajisur me mjete mbrojtëse, në momentin kur ndodhi aksidenti. E në vendin e punës, sipas raportit të Inspektorati, punëdhënësi nuk ka vendosë shenja adekuate, transparente për qasje dhe rrezikun në vendin e punës. Të pyetur nga T7, nga Inspektorati i Punës, nuk treguan për dënimin që pason për kompaninë, si shkaktarë të aksidentit. E nga Prokuroria thanë se janë duke vazhduar hetimet për rastin.