Kompania e Ujësjellësit u ndante para shtesë punëtorëve për Vitin e Ri, teksa punonte në humbje

E publikuar: 23/06/2020 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania Regjionale e Ujit dhe Kanalizimit “Bifurkacioni”, ndonëse gjatë vitit 2019 ka punuar me humbje, në fund të vitit ka ndarë mjete financiare si stimulim për punonjësit, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeshefi Ekzekutiv, Xhabir Morina me rastin e festës së Vitit të Ri, të gjithë punonjësve ju kishte ndarë afër 7 mijë euro.

“Kryeshefi Ekzekutiv, edhe përkundër operimit me humbje të Kompanisë, me rastin e festës së Vitit të ri, të gjithë punonjësve ju kishte ndarë nga 30€ neto pa obligim kthimi. Shuma totale ishte 6,994€”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

E arsyeja për ndarjen e këtyre mjeteve, sipas zyrtarëve në këtë kompani është stimulimi për performancë më të mirë të punëtorëve.

“Sipas zyrtarëve, arsyeja e marrjes së vendimit për ndarje të mjeteve financiare për punonjësit, ka të bëjë me përpjekjen për krijimin e një atmosfere stimuluese pozitive për performancë më të mirë për vitin vijues”, shkruan në raportin vjetor ptë ZKA-së.

Ndarja e mjeteve financiare për punonjësit, në situatën kur kompania operon me humbje, sipas auditorit, ndikon në thellimin e mëtejshëm të humbjeve të kompanisë dhe është shembull jo adekuat për të stimuluar përmirësimin e performancës.

Megjithatë edhe në rregulloren për paga, reprezentacion, mëditje, dënime, stimulime dhe shpenzime tjera, thuhet se  varësisht nga gjendja dhe fuqia financiare e kompanisë, të punësuarve mund t’u ndahen mjete financiare me rastin e festave fetare, kombëtare, festave të fund vitit.

Kompania “Bifurkacioni” është ndërmarrje publike që ofron shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbledhje të ujërave të zeza në komunat e Ferizajit, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit./GS/