Kompania e angazhuar për festimet e 17 Shkurtit thotë se disa aktivitete nuk janë realizuar

E publikuar: 23/02/2019 19:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paraglajdistët që u shfaqën mbi kryeqytet, ishin një prej aktiviteteve më atraktive të 17 shkurtit.

Por, ishte edhe një prej aktiviteteve që ishte planifikuar të kushtonte më së shtrenjti, në total 12,520 euro, raporton KTV.

Me t’u publikuar plani i shpenzimeve në KTV, ka reaguar Federata e Aeronautikës, duke bashkëngjitur edhe kontratën e lidhur me kompaninë “Dizarium”, ku saktësohej se federata do të kompensohej me vetëm 800 euro, e që i referohej linjës buxhetore të miratuar nga Zyra e Kryeministrit.

Kontrata mban datën 29 janar, që është edhe dita e njëjtë kur Protokolli i Shtetit, i kishte kërkuar zyrës së kryeministrit t’i ndaj 500 mijë euro për aktivitetet e planifikuara bashkë me listën e produkteve.

sipas kompanisë “Dizarium”, ajo që është publikuar në media për shpenzimet e 11-vjetorit, është propagandë pasi sipas tyre, ka një faturë finale për aktivitete e realizuara, meqë disa prej tyre nuk janë realizuar.

12.150 euro ishin ndarë për rendimin e kioskave të drurit “verë n”dimër”.

Ergyn Gashi, që figuron si agjent i autorizuar i kësaj kompanie, përmes telefonit, ka përmendur se si kishin planifikuar rendimin e shtëpizave të drurit në sheshin e Prishtinës, por ishin tërhequr sepse sipas tij, kishin kushtuar shtrenjtë.

Megjithatë, Adonis Tahiri, nga Komuna e Prishtinës i ka konfirmuar KTV-së se shtëpizat e drurit, ishin hequr krejtësisht nga sheshi “Zahir Pajaziti” disa ditë para 17 shkurtit.

Gashi është pyetur edhe për ueb-faqen pavareisaekosovës.com, për çka ka thënë se nuk është arritur të funksionalizohet shkaku i certifikatave të sigurisë dhe një gjë e tillë pritet të bëhet së shpejti.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që me këtë çështje, të merren institucionet e drejtësisë.

Derisa deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një postim në Facebook, ka theksuar se 2540 kosovarë, duhet të punojnë një vit pa ndërprerë, që t’i paguajnë shtetit 500 mije euro tatim.

E shteti, sipas Abdixhikut, këto gjysmë milioni euro, i ndan lehtësisht në mashtrim.