Komiteti Olimpik i Kosovës hap Javën Europiane të Sportit

E publikuar: 23/09/2019 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë hapjen e Javës Europiane të Sportit. Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sport, Kujtim Gashi.

KOK ka organizuar Forumin për Sportin duke synuar që t’i mbledhë të gjithë përfaqësuesit e lartë të sportit, kontribuuesit, biznesmenët, institucionet qendrore dhe ato lokale, gazetarët sportivë, dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në forma të ndryshme në sport, në mënyrë që bashkërisht të diskutojnë problemet e shumta që preokupojnë sportin, klubet, sportistët tanë, si dhe komunat.

Temat të cilat janë diskutuar gjatë këtij forumi përfshijnë: Ligji për Sponsorizim, Kategorizimi i Sportit, Sportistëve dhe Trajnerëve, Qeverisja e Mirë në Sport, Barazia Gjinore, etj.

Ministri Gashi ka thënë se këto aktivitete zhvillohen me qëllim që qytetarët e Kosovës të merren më shumë me aktivitete fizike dhe sportive, të cilat do të organizohen në kuadër të Javës Evropiane të Sportit.

Java Europiane e Sportit sivjet shënon 5 vjetorin e themelimit dhe mbahet në vende të ndryshme të Evropës. Sivjet janë planifikuar rreth 84 ngjarje për 8 ditë sa do të zhvillohet java, ku planifikohet të marrin pjesë rreth 2 mijë persona.

Kujtojmë se Java Europiane e Sportit në Kosovë po mbahet për të dytën herë.