Komisioni i ri për demarkacionin tregon se deri ku kanë arritur

E publikuar: 17/10/2017 09:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mungesë të dokumenteve në institucione të ndryshme lidhur me demarkimin e kufirit me Malin e Zi Ndër vendimet e para të ndërmarra nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në marrje të pozitës ishte shkarkimi i Komisionit për Demarkim të kufirit me Malin e Zi.

Në ndërkohë Haradinaj plotësoi formimin e Komisionit të ri, me emra pothuajse krejtësisht të rinj. Por ka një muaj që ky komision është formuar dhe ende nuk është arritur ndonjë publikim i të gjeturave.

I kontaktuar nga Indeksonline, anëtari i këtij komisioni, Florim Isufi ka ripërsëritur si shumë herë më parë se puna e këtij komisioni është duke vazhduar por, sipas tij, për arsye të dokumenteve puna në fjalë ka mjaft vështirësi.

“Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare ka filluar punën menjëherë pas vendimit të marr nga Qeveria e Kosovës. Puna është duke vazhduar me intensitet të lartë duke konsultuar numër të madh dokumentesh. Është normale në një punë të tillë që disa nga dokumentet të gjinden me vështirësi të madhe, ndërsa disa dokumente me apo pa vetëdije ose nga pakujdesia mungojnë në institucionet e specializuar për ruajtjen e tyre”, ka thënë Isufi.

Gjithashtu, Isufi ka bërë të ditur se komisioni është duke shfrytëzuar të gjithë mundësitë ndër to edhe sigurimin e dokumenteve nga shtetet e tjera.

“Komisioni është multidiciplinar dhe po i shfrytëzon të gjitha mundësitë që të siguroj dokumentet e nevojshme, madje edhe nga shtetet tjera. Nevojitet ende kohë për të nxjerr një përfundim të saktë dhe të pamohuar faktik”, ka shtuar Isufi. Sipas Isufit në momentin e arritjes së të gjitha burimeve e informatave do të dilet edhe me një raport final.

Ndërkohë, Isufi është pyetur edhe për atë se nëse komisioni ka filluar daljen në teren ku ndër të tjerash ka theksuar se janë aktiv në orar të plotë dhe duke e cekur si dalje në teren, atë në institucione të ndryshme. “Ne jemi aktivë 5 ditë në javë me orar të plotë. Dy herë në javë kemi takime të komisionit, ndërsa tri herë në javë jemi në terren nëpër institucione të ndryshme. Bazuar në këtë intensitet të punës deri me tani kemi arritur të sigurojmë disa risi në problematikën e demarkimit, por synimi ynë është të sigurojmë sa më shumë në mënyrë që një herë e përgjithmonë ta mbyllim këtë kapitull i cili u përcoll me shumë kundërthënie dhe mangësi nëpër raportet e ndryshme politike dhe profesionale”, ka përfunduar Isufi.

Duhet përkujtuar që demarkacioni me Malin e Zi është njëra ndër kërkesat e përfaqësuesve të huaj që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet udhëtimi pa viza./Indesonline/