Komisioni për legjislacion nuk jep interpretim për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së

E publikuar: 08/05/2019 07:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni parlamentar për legjislacion nuk e ka shqyrtuar kërkesën e deputetit Arban Arbashi dhe anëtares së Bordit të RTK-së, Naile Demiri, lidhur me interpretimin e normave ligjore të Ligjit të Radiotelevizionit të Kosovës për zgjedhjen e drejtorit të ri të RTK-së.

Shumica e anëtarëve të këtij komisioni kanë konstatuar se nuk është në fushëveprimtarinë e tij interpretimi ligjor dhe se këtë duhet që ta bëjë Komisioni funksional, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Bordi i RTK-së ka shkelur ligjet në fuqi për zgjedhjen e drejtorit të ri. Ajo ka insistuar që Komisioni të nxjerrë një opinion, i cili do të konstatonte këto shkelje dhe do të tregonte që drejtori i RTK-së duhet të zgjidhet me 7 vota për e jo me 6 siç është bërë.

Edhe anëtari i këtij komisioni, Arben Gashi nga LDK-ja, ka thënë se zgjedhja e drejtorit të RTK-së dhe shkarkimi i tij bëhet me 2/3 e votave dhe se ligji e thotë këtë qartë. Sipas tij, interpretimi i zyrës ligjore të RTK-së është qesharak.