Komisioni i paralajmëruar nga Jahjaga për demarkacionin hap i vonuar

E publikuar: 11/03/2016 09:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka paralajmëruar të enjten se shumë shpejt do ta fillojë punën komisioni i pavarur me ekspertët ndërkombëtarë, i cili do ta analizojë procesin e demarkacionit me Malin e Zi.

Përfaqësuesit e pozitës e kanë mirëpritur fillimin e punës së këtij komisioni të ri, por jo edhe përfaqësuesit e opozitës.

Ndërsa analistët politikë mendojnë se paralajmërimi i presidentes për këtë komision është vetëm një veprim sa për t’i ulur tensionet politike në vend.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se paralajmërimi i presidentes Jahjaga për fillimin e punës së një komisioni të tillë është i mirëseardhur.

“Çdo përpjekje që çon drejt zgjidhjes së situatës me dialog, ashtu edhe siç duhet, është i mirëseardhur”, ka thënë Grabovci.
Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ide tashmë është e vonuar.

Kurse analisti Naim Maloku, mendon se paralajmërimi i presidentes për një hap të tillë është vetëm tentim për t’i ulur tensionet politike në Kosovë.