Komisioni Evropian propozon taksa të reja për Facebook, Google dhe Amazon

E publikuar: 21/09/2017 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian tha ditën e Enjte se është gati të propozojë taksa të reja për kompanitë dixhitale si Facebook dhe Alphabet Google duke filluar nga Pranvera e vitit të ardhshëm nëse nuk ka një përpjekje globale për të rishkruar rregulloren e taksave në nivel ndërkombëtar.

Komisioni Evropian foli për disa opsione të cilat mund të aplikohen si një zgjidhje afatshkurtër për të ngritur taksat ndaj të ardhurave të kompanive dixhitale të cilat deklarojnë fitime minimale në vendet e Unionit.

Ndërsa Komisioni tha se një zgjidhje globale do të ishte e duhura, shtoi se është gati të propozojë një legjislacion edhe nëse vendet si Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme.

Ky kërcënim vjen në një kohë kur vendet e mëdha Evropian si Franca dhe Gjermania kanë shtuar masat ndaj kompanive dixhitale për të rikuperuar miliard euro humbje sipas tyre.

Ministrat e Financave të disa vendeve Evropiane njëzëri u shprehen pro ndryshimit të rregullores të taksimit për të reflektuar fitimet reale të kompanive.

Sipas tyre, gjigandët e teknologjisë po përfitojnë nga një rregullore e vjetër taksative në fuqi e cila bazohej sipas prezencës fizike të subjekteve dhe jo mbi bazën e bizneseve virtuale siç është reklamimi apo grumbullimi i të dhënave.

Një prej opsioneve të Komisionit është taksimi sipas të ardhurave dhe jo fitimit, një gjë e promovuar nga Franca dhe 10 vende të tjera Evropiane.

Kështu kompanitë të cilat kanë të ardhura kolosale por paguajnë taksa shumë më të ulëta, do të paguanin më tepër.

Komisioni gjithashtu mendon të taksojë transaksionet dixhitale dhe shërbimet që nuk figurojnë në Evropë. Kështu do të taksohej një kompani e cila shet reklama në Francë edhe pse nuk ka një prezencë fizike atje. /PCWorld Albanian