KOMF: Pandemia rëndoi gjendjen e shërbimeve sociale, fëmijët me aftësi të kufizuara mbeten pa shërbime

E publikuar: 23/04/2021 14:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Viti 2020 po cilësohet si viti më i rëndë në 20 vitet e fundit sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale, e në këtë ka ndikuar pandemia COVID-19 dhe situata politike në vend.

Kjo është e gjetur e raportit të monitorimit “Shërbimet Sociale në kohë pandemie”, të prezantuar nga koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë-KOMF.

Në prezantimin e këtij raporti, u tha se në vitin 2020 shërbimet sociale ishin në gjendje edhe më të rëndë krahasuar me vitin 2019, derisa u tha se pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve në nevojë për shërbime sociale.

Drejtoresha ekzekutive e KOMF, Donjeta Kelmendi, tha se gjatë vitit 2020 është rritur numri i rasteve të dhunës në familje dhe se fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime si shkak i masave të ndërmarra.

Ajo tha se krahas pandemisë edhe gjendja e paqëndrueshme politike në vend gjatë 2020, pati ndikim në përkeqësimin e mirëqenies sociale dhe decentralizimin e shërbimeve sociale dhe familjare.

“Viti 2020 ishte vit i rëndë në të gjitha fushat për shkak të pandemisë globale COVID-19, por edhe siç është përmendur dhe bazuar edhe në të gjeturat e raportit të monitorimit, sidomos ka rënduar gjendjen e grupeve të cenueshme dhe gjendjen e shërbimeve sociale në Kosovë.

Kosova nuk ka qenë përjashtim sikurse edhe vendet e rajonit dhe vendet e botës, është rritur gjatë vitit 2020 numri i rasteve të cilët kanë kërkuar për shërbime sociale, është rritur numri i rasteve të dhunës në familje, duke përfshirë këtu numrin e rasteve të fëmijëve viktima të abuzimit të cilët kanë kërkuar strehim dhe janë strehuar qoftë në strehimore apo në strehim familjar, është rritur numri i fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

Në përgjithësi në të gjitha kategoritë ka pasur rritje të numrit të rasteve. Pandemia sigurisht që ka rënduar shumë edhe gjendjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijët ishin duke marrë shërbime, një pjesë e tyre në kuadër të qendrave ditore dhe me mbylljen dhe faktikisht masat e ndërmarra për parandalimin e virusit mbeten pa shërbime, të izoluar”, tha ajo.

Ajo tha se institucionet publike ofruese të shërbimeve sociale punonin me staf esencial, me kufizime qoftë financiare dhe të gjitha këto e rënduan situatën e fëmijëve por edhe familjeve të cenueshme që ishin në nevojë për shërbime sociale.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, tha se është jetike që të zgjidhet formula për financimin e përhershëm për shërbimet sociale, e këtë tha se si qeveri nuk janë duke e neglizhuar.

“Sipas buxhetit të aprovuar të vitit 2021 në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve i kemi të planifikuara një shumë të mjeteve financiare në vlerë prej 1 milion euro, kjo shumë e mjeteve buxhetore është ndarë përafërsisht diku në 40 OJQ të licencuara të cilat kanë marrë mbështetje financiare varësisht prej punës që e kryejnë prej 12 mijë deri në 45 mijë euro për zbatimin e projekteve për vitin 2021. Është jetike dhe është e domosdoshme që të zgjidhet formula për financimin e përhershëm ose krijimin e një granti specifik për shërbime sociale, e kemi në dije këtë çështje dhe nuk jemi duke e neglizhuar”, tha ai.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Habit Hajredini, tha se pandemia ka goditur grupet më të ndjeshme dhe në mënyrë specifike fëmijët.