Kombëtarja e nis me miqësoren ndaj Norvegjisë

E publikuar: 03/01/2018 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë ndaj Norvegjisë në datën e lirë të FIFA-s për muajin Mars. Kuqezinjtë e trajnerit Kristian Panucci zyrtarizuan më në fund rivalin për të cilin negocionin prej javësh, duke zgjedhur përfaqësuesen nordike për të testuar elementë të rinj.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe homologia e saj norvegjeze kanë arritur akordin mes tyre për të luajtur në fund të muajit mars një ndeshje miqësore, në vendin tonë. Në 26 mars do të zhvillohet në “Elbasan Arena” takimi miqësor mes përfaqësueses sonë dhe asaj të Norvegjisë. Në përballjet e ekipit kombëtar, ballafaqimi i parë kundër skuadrës norvegjeze daton në vitin 1998 në Oslo përfunduar në barazim 2-2, ndeshje e vlefshme për eleminatoret e Euro 2000.

Në një bilanc të përgjithshëm, me kombëtaren e Norvegjisë, Shqipëria është ndeshur 4 herë, ku ka fituar një herë me gol të Salihit në transfertë, ka barazuar 2 herë dhe është mundur një herë. Norvegjia ka në pankinë një emër me eksperiencë si Lars Lagerbek, ndërsa mban vendin e 59-të në FIFA.
Tashmë pritet një tjetër përballje, por këtë radhë miqësore, e cila do të jetë në funksion të trajnerit për kolaudimin e mëtejshëm të skuadrës. Miqësorja e fundit e skuadrës shqiptare ishte ajo e fituar në Antalia me 13 nëntor 2017, ndaj përfaqësueses së Turqisë. Ndërkaq, në fund të janarit, Shqipëria do të njohë edhe kundërshtarët e saj në grup për eventin e ri që nis në shtator, UEFA Nations League./tch/