Kodheli në Kosovë: Mos bëni gabimet e Shqipërisë (Video)

E publikuar: 01/12/2015 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli po viziton këtë të martë Kosovën, ku është pritur me nderime ushtarake nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pas takimit të dy delegacioneve shtetërore, ministrja Kodheli dhe ministri i FSK-së Haki Demolli folën në një konferencë për shtyp mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes u bëri thirrje qeverisë dhe opozitës kosovare që të ulen dhe të diskutojnë dhe të mos përsërisin gabimet që ka bërë Shqipëria në të kaluarën.

“Ky rrugëtim nuk është i thjeshtë, por është absolutisht i mundur. Dhe ky rrugëtim fillon dhe mbështetet pikërisht nga menaxhimi i situatës politike, i cili në gjykimin tim duhet të ketë një kryefjalë, që është dialogu. Dialogu bëhet pranë strukturave dhe institucioneve të dala nga zgjedhjet demokratike në këtë vend dhe nuk mund të jetë asnjëherë dialogu i rrugës. Ju keni fatin të gjykoni mbi atë çfarë Shqipëria ka bërë në këto 25 vite nga pikëpamja politike. Mos i bëni gabimet e shqiptarëve”, deklaroi Kodheli.

“Nuk ka zgjidhje me dhunë. Domethënë, nuk përkrahim dhunën nga asnjëra palë, qoftë nga koaliconi qeverisës qoftë nga opozita. Prandaj, si zgjidhje të vetme shoh dialogun politik dhe besoj se liderët tanë politikë shumë shpejt do të përafrohen dhe do të mbajnë një takim të caktuar në të cilin do të gjejnë një zgjidhje që do të jetë e përshtashme për situatën në të cilën po kalon Kosova”, tha nga ana tjetër Demolli.

Ministrja Kodheli dhe ministri Demolli thanë se kanë diskutuar edhe për koordinimin rajonal në luftën kundër terrorizmit, por edhe për ndihmën që ushtria shqiptare mund t’ia japë FSK-së në rrugën drejt anëtarësimin në NATO.