Koci: Do ta fitojmë betejën me Lushtakun, kemi argumente të forta

E publikuar: 11/02/2016 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njëri nga pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili akuzohet për vrasjen e një personi të panjohur, nëse Gjykata e Apelit ia merr parasysh ankesën, ai në prill mund të fitoj betejën e nisur me vite.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, avokati i Lushtakut, Arianit Koci i cili ka thënë se në mbarë botën nuk ka pasur kurrë rast të tillë sikurse ai i klientit të tij.
“EULEX është deklaruar se në mesin e prillit do të trajtohen ankesat tona në Gjykatën e Apelit. Lushtaku, po e pret me padurim këtë datë. Kemi bazë të fortë ligjore që ta fitojmë këtë betejë juridike”, ka thënë Koci.
Sipas tij, Lushtaku është dënuar, në shkallë të parë, për vrasjen e një personi të panjohur, trupi i të cilit nuk është gjetur dhe se arma e kinse kryerjes së vrasjes nuk është gjetur.
“Krejt konstruksioni juridik i aktgjykimit, është i bazuar në deklaratat kundërthënëse të vetëm një dëshmitari të mbrojtur dhe nuk është i mbështetur në asnjë prove materiale. Thjesht, në jurisprudencën botërore, ende nuk kam hasur në një aktgjykim të tillë”, ka thënë Koci.
Ai ka bërë të ditur se ka disa argumente të forta për ankesë, sa i përket rastit të komandantit Lushtaku, raporton Indeksonline.
“Kam argumente të forta për ankesë. Sipas nenit 405 paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, kur i akuzuari është në paraburgim, e zoti Lushtaku konsiderohet i paraburgosur, Gjykata e Apelit detyrohet që vendimin e saj, t’ia dërgojë Gjykatës së Shkallës së Parë, jo më vonë se tre muaj nga dita e marrjes së shkresave nga kjo gjykatë”, ka thënë tutje Koci.
Sipas tij, ky afat është instruktiv, pasi që, siç ka thënë ai, nuk është paraparë kurrfarë sanksioni nëse eventualisht tejkalohet afati. /Indeksonline/