Koalicioni thotë se ka vendosur kontrollin mbi 95 për qind të Rakës

E publikuar: 18/10/2017 17:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, njoftoi se ka vendosur kontrollin në 95 për qind të qytetit të Rakës. Komentet vijnë një ditë pasi Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara shpallën fitore atje, pas disa muajsh luftimesh.

Sipas zëdhënësit të koalicionit, kolonelit Ryan Dillon edhe sot në qytet po vazhdojnë operacionet për të larguar luftëtarët e mbetur të Shtetit Islamik nga disa pjesë të qytetit.

Një zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane, që përbëhet nga milicë kurde dhe arabë, tha dje se luftimet në Raka kishin mbaruar dhe se po kryheshin kontrolle në qytetet për gjetjen e celulave të fjetura të Shtetit Islamik apo të zonave të minuara.

Pas përfundimit të këtij procesi pritet të deklarohet zyrtarisht fitorja.

Raka njihej si kryeqyteti de facto i Shtetin Islamik, pas krijimit të kalifatit të vetëshpallur që përfshinte zonat e tëra të pushtuara në Siri dhe Irak në vitin 2014.