KMDLNJ në takim me përfaqësues të Panelit për Lirim me Kusht

E publikuar: 13/05/2020 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësues të KMDLNJ-së janë takuar me Adelina Jusufin, zëvendës koordinatore e Panelit për Lirim me Kusht në kuadër të bashkëpunimit për realizimin e projektit për ndihmë humanitare për personat e privuar e të liruar në kohë pandemie.

Ky këshill i informoi ata për detajet e projektit dhe kërkoi nga Paneli që ta mbështesë me informata për personat që Paneli ka liruar në kohë pandemie. Sipas Jusufit, PLK ka qenë shumë efikase në këtë kohë duke liruar më shumë se 80 persona të privuar nga liria, por edhe ato rastet që i kanë refuzuar e kanë shkurtuar kohën e refuzimit.

KMDLNJ kërkoi nga Paneli që të jenë më të hapur në informimin e personave të privuar lidhur me datat e mbajtjes apo trajtimit të lëndëve, njoftimin me kohë të të gjithë aplikuesve dhe njoftimin në formë të shkruar, por edhe që Paneli të jetë më “dorëlirë “ në këtë kohë pandemie, gjithnjë në përputhje me Ligjin.

Mbështetja humanitare për personat e privuar nga liria apo ata që janë liruar është siguruar nga KFOS dhe Rrjeti i Fondit të Hapur në Nju Jork që mbulon 185 familje në afatin tremujor nga 170 euro. Kriter kryesor për përfituesit e mundshëm është gjendja ekonomike.