KMDLNj: Mosliberalizimi i vizave është për shkaqe politike, jo se nuk janë plotësuar kriteret

E publikuar: 12/07/2018 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) përmes një njoftimi për media thekson se mosliberalizimi i vizave është për shkaqe politike, e jo se nuk janë plotësuar kriteret.
KMDLNj thekson se qytetarët e Kosovës po mbesin pezull dhe në gërshërë midis bashkësisë ndërkombëtare që e vendosë realisht se kur do të liberalizohen vizat dhe e cila vazhdimisht vë kërkesa të reja dhe politikanëve kosovarë që fatin e tyre të mbijetesës politike e lidhin me liberalizimin e vizave.
“Qytetarët e Kosovës për një kohë të gjatë po mashtrohen në radhë të parë nga bashkësia ndërkombëtare e pastaj si pasojë edhe nga politikanët kosovarë se procesi i liberalizimit të vizave është perspektivë evropiane, diçka e pashmangshme dhe vetëm sa nuk ka ndodhur. Të gjitha vendit e rajonit kanë përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave pasi, kryesisht, vetëm pjesërisht i kanë përmbushur kriteret e parapara dhe se ky liberalizim ka qenë më shumë politik, se sa përmbushje e standardeve të parapara”, thuhet në reagim.

KMDLNj thekson se për dallim nga shtetet tjera, që në planin e përmbushjes së kritereve dhe forcimit të demokracisë përmes shtetit të së drejtës kanë pasur lehtësime dhe kritere më të buta, Kosovës i janë vendosur kritere që nuk i ka pasur asnjë vend apo shtet i rajonit siç ishte demarkacioni, bisedimet me Serbinë, Gjykata Speciale dhe kritere të tjera.

“Liria e lëvizjes si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe vlerë e demokracisë i është mohuar dhe po u mohohet vetëm qytetarëve të Kosovës por jo edhe shteteve tjera që kanë dalë nga shpërbërja e dhunshme e ish – Jugosllavisë dhe të cilat nuk qëndrojnë aspak më mirë se Kosova në përmbushjen e standardeve të kërkuara. Politikanët kosovarë ata që kanë qenë në pushtet pa asnjë dallim i kanë pranuar kushtet e BE për liberalizim të vizave edhe në raste kur edhe mund t’i kenë dëmtuar interesat e shtetit dhe të qytetarëve, sikur që ishte demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe bisedimet me Serbinë”, theksohet në njoftimin e KMDLNj-së.

Sipas Këshillit, vendet e rajonit që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe sidomos Bosnja dhe Hercegovina nuk qëndrojnë asgjë më mirë se Kosova në përmbushjen e standardeve.

“Nëse bëjmë krahasime me shtetet tjera që e kanë përfituar lirinë e lëvizjes në zonën Shengen, edhe Kosova i ka plotësuar ato kushte dhe çdo vonesë që i bëhet liberalizimit të vizave nuk është për shkak të mospërmbushjes së standardeve të parashtruara por se ka prapavijë dhe qëllim politik, i cili si mjet shantazhi do të dëmtojë rëndë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, do të ndikojë në përkeqësimin e situatës së sigurisë…”, thuhet në reagimin e Këshillit.