Klubi grek anulon transferimin e shqiptarit Idriz Batha për shkak se bëri shqiponjën me duar

E publikuar: 04/07/2018 06:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm, pak ditë më parë, klubi i Superligës greke, AEL Larissa, kishte njoftuar në faqen e vet zyrtare se kishte arritur marrëveshjen për transferimin e mesfushorit shqiptar, Idriz Batha.

Gjithsesi duket se gjithçka është anuluar tashmë dhe ish-kapiteni i Partizanit do të duhet të kërkojë një tjetër skuadër ku të vijojë karrierën, transmeton Top Channel.

Formimi i shqiponjës nga Batha (Foto: Top-Channel)

Besojeni ose jo, por shkaku kryesor i anulimit të marrëveshjes ka qenë një fotografi në internet e mesfushorit që shfaqet duke bërë me duar shqiponjën dykrenore të flamurit shqiptar.

Kjo sqarohet edhe në tekstin e mesazhit që drejtori sportiv i klubit grek, i ka dërguar menaxherit të futbollistit, ku e njofton për anulimin e marrëveshjes.

“Arsyeja kryesore e prishjes së kësaj marrëveshjeje është se ne kemi parë një fotografi të lojtarit në internet, ku bën me duar simbolin e Shqipërisë së Madhe”.

“Kjo është diçka e papranueshme për ne, sepse kemi shumë lojtarë serbë në skuadër dhe për më tepër, Shqipëria e Madhe përfshin pjesë nga Rajoni i Maqedonisë në Greqi, gjë që zhgënjen edhe fansat tanë”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e drejtorit të AEL Larissas, Vassilis Vanis.

(Foto: Top-Channel)

Batha e ka nisur karrierën te Partizan i Tiranës, për të luajtur pasta te Besa e Kavajës, Teuta e Durrësit dhe për t’u kthyer sërish te Partizani në vitin 2014.