Klinika më e madhe laboratorike në QKUK punon me aparaturë të skaduar [video]

E publikuar: 11/03/2015 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klinika e Biokimisë Mjekësore është duke punuar me aparatura, të cilave u ka kaluar koha e përdorimit, raporton KTV.

Në këtë klinikë vazhdojnë të kryhen analiza me aparatura, të cilat pas 5 vjetësh do të duhej të dilnin nga përdorimi për t’u zëvendësuar me të reja.

Për pasojë, aparaturat shumë shpesh kanë prishje dhe servisimi duhet të bëhet shumë më shpesh.

E këto prishje, sipas drejtorit të Klinikës së Biokimisë, shkaktojnë pritje të gjata të kryerjes së analizave të pacientëve, numri i të cilëve arrin deri në 300 brenda një dite, përcjell koha.net. Mirëpo, mundësia që kjo klinikë të zgjidhë problemin e aparaturave, sipas zyrtarëve të Shërbimit Spitalor, janë të vogla.

Kjo për shkak të buxhetit të limituar sa i përket pajisjeve mjekësore. Për këtë vit janë ndarë vetëm 850 mijë euro, derisa numri i kërkesave për pajisje mjekësore është shumë i madh.

Shpend Fazliu i ka thënë KTV-së se derisa buxheti është vetëm 850 mijë euro, kërkesat nga klinika janë prej disa miliona eurosh.