Klinë, pezullohet nxënësi, iniciohet shkarkimi i drejtorit

E publikuar: 06/04/2015 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Florent Bojaj, nxënës i klasës së dymbëdhjetë në drejtimin e shkencave shoqërore në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës, është suspenduar nga procesi mësimor për tre muaj, për shkak të kacafytjes me një nxënës tjetër të kësaj shkolle. Vendimin për pezullim nga procesi mësimor e kishte marrë drejtori i gjimnazit.

Nxënësi Florent Bojaj thotë se kjo masë ishte e paarsyeshme, pasi që kacafytja nuk kishte qenë serioze dhe ishin pajtuar me njëri-tjetrin në prezencë të drejtorit.

“Unë e kam pasur një kacafytje me një shok timin që ka ndodh me 23 janar 2015. Ne pas kacafytjes sonë, në prezencë të drejtorit jemi pajtuar. Por, drejtori më datë 27 janar 2015, ka marrë një vendim për pezullim nga shkolla me kohëzgjatje për tre muaj. Unë kam bërë ankesë në drejtori të shkollës, kam bërë ankesë në Drejtori të Arsimit në Klinë. Drejtoria e shkollës nuk e ka aprovuar. Po ashtu, edhe Drejtoria e Arsimit në Klinë ka thënë që e mbështesin vendimin e drejtorit”, thotë Florenti.

Drejtori i këtij gjimnazi, Xhafer Bashota, përmes telefonit tha se nxënësi është pezulluar nga procesi mësimor për tre muaj për shkak se ka sulmuar fizikisht një nxënës tjetër.

“Nxënësi në fjalë ka sulmuar fizikisht një nxënës tjetër. Për këtë arsye Drejtoria e shkollës e ka pezulluar për tre muaj nga procesi mësimor. Deri më tani për rastin në fjalë as Drejtoria e Arsimit të Klinës dhe as Inspektorët e Arsimit nuk kanë dërguar asgjë zyrtar për këtë rast. Nxënësi në fund të vitit shkollor do t’i nënshtrohet provimeve klasore”, tha Bashota.

Drejtoria për Arsim në Komunën e Klinës i kishte dhënë mbështetje drejtorit të gjimnazit. Hajdin Morina, drejtori i kësaj Drejtorie nuk ka dashur të flasë për këtë çështje me arsyetimin se ka punë më të mëdha sesa kjo.

Florenti rastin e tij e kishte paraqitur në Inspektoratin e Arsimit në Pejë.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, zyrtarët e Inspektoratit kanë rekomanduar që përgjigjet të merren nga Ministria e Arsimit.

Zëdhënësja e MAShT-it, Besa Bytyqi, e konfirmon marrjen e masave ndaj nxënësit Florent Bojaj.

“Masa disiplinore që i është shqiptuar nxënësit Florent Bojaj konform nenit 10. pika 2.1 i shqiptohet nxënësit që bën sjellje të dhunshme, apo agresive, e cila nuk lejon vazhdimin e procesit edukativo¬arsimor dhe aftësues të nxënësve tjerë. Në rastin konkret, nuk është paraqitur një situatë e tillë, ngase të dy nxënësit e përfshirë në konflikt janë pajtuar ndërmjet veti dhe kjo argumentohet me një kërkesë të 27 nxënësve të klasës që nxënësit Florent Bojaj t`i falet gabimi, apo t`i zbutet masa disiplinore. Pra, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me moslejim të vazhdimit të procesit edukativo¬arsimor”, thuhet në përgjigjet e zëdhënëses së Ministrisë së Arsimit.

Inspektorati i Arsimit në Pejë i kishte kërkuar drejtorit të gjimnazit që ta ri-shqyrtojë vendimin për pezullim. Por ai nuk kishte vepruar asisoj. Prandaj zëdhënësja e MAShT-it thotë se Inspektorati i Arsimit në Pejë ka iniciuar procedurë për kundërvajtje dhe shkarkim të drejtorit.

“Drejtoria Komunale e Arsimit në Klinë nuk ka vepruar sipas vendimit të Inspektoratit të Arsimit në Pejë për ta ri¬shqyrtuar edhe një herë vendimin mbi pezullimin e nxënësit nga shkolla. Udhëzimi Administrativ nr. 6/2014 parasheh edhe procedurën e ankimimit të palëve, në këtë rast të nxënësve apo prindërve të tyre. Ndaj drejtorit të Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë, Sektori i Inspektoratit të Arsimit në Pejë ka bërë inicimin e procedurës për shkarkimin e tij sipas nenit 5.3. pika a të Ligjit Nr. 2004/37, dhe është ngritur procedurë kundërvajtëse sipas nenit 7.1 pika c. dhe 7.2 pika b. të po këtij ligji”, thotë zëdhënësja Bytyqi./Indeksonline/