Kinë, hetime për korrupsion ndaj ish-zyrtarit

E publikuar: 23/11/2017 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lu Wei, personi që dikur ishte personofikimi zyrtar i të ashtuquajturit “Muri Ndalues i Kinës” – barrierës dixhitale të vendosur nga autoritetet për të kufizuar qasjen e qytetarëve në internet, është tani zyrtari i parë i fuqishëm, apo siç thuhet në Kinë, “tigri i parë”, që bëhet objekt hetimi për korrupsion nga Partia Komuniste, pas fillimit të mandatit të dytë të Presidentit Xi Jinping, muajin e kaluar.

Analistët thonë se shumë janë të mendimit, se hetimi për korrupsion ndaj praktikave të Lu-së është i ligjshëm dhe madje tepër i vonuar.

Por rënia e Lus Weit ka nxjerrë në pah pakënaqësinë që ekziston në mesin e përdoruesve kinezë të internetit, shumë prej të cilëve janë të irrituar nga rregullat e forta që Kina ka vendosur ndaj internetit.

Ky rast po ashtu, sipas analistëve vë në lojë të ashtuquajturin himnizim për presidentin Xi Jinping, një kulturë mburrjesh me fokus kultin e udhëheqësit që Partisë Komuniste.

Hetim për korrupsion

Të martën në mbrëmje, agjencia kineze kundër korrupsionit njoftoi në faqen e saj në internet, se 57-vjeçari Lu, i cili ka shërbyer më parë si zëvendës shef i zhvillimit të propagandës së partisë, është arrestuar lidhur me një hetim të brendshëm për korrupsion.

Sipas njoftimit, Lu ishte marrë nga hetuesit në fund të javës së kaluar, bashkë me gjashtë kolegë të tjerë si dhe me anëtarë të familjes së tij.

Lu, i cili ka qenë kreu i Administratës Kibernetike të Kinës në vitet 2013-2016, ishte personi kryesor për zbatimin e politikave kibernetike të Presidentit Xi Jinping.

Në këtë rol, ai ushtroi shumë pushtet mbi internetin e vendit me 730 millionë përdorues dhe luajti rolin e gardianit, për të mos i lejuar kompanitë teknologjike që kërkonin të hynin në tregun kinez.

Për këtë arsye, revista “Time” e emëroi atë një nga 100 njerëzit më me influencë të botës për vitin 2015.

Thjesht një mace

Por karriera e tij politike mori fund në qershor të vitit 2016, kur iu hoq titulli i mbikqyrësit të internetit të Kinës dhe ai u zëvendësua nga Xu Lin, një person i favorizuar i Presidentit Xi.

“Që atë ditë ai nuk ishte më tigër. Jo se tani është një mizë, por në vend të tigrit tani ai është mace, sepse e humbi fuqinë që kishte deri në qershor të vitit 2016″, – i pati thënë Zërit të Amerikës analisti për Kinën me bazë në Hong Kong, Willy Lam.

Në njërën prej dy deklaratave, agjencia kineze kundër korrupsionit shpjegoi të mërkurën përse Lu u bë “tigri i parë nën hetim” pas Kongresit të 19-të Kombëtar të Partisë.

“Administrata kibernetike nën drejtimin e Lu Weit u zbulua se nuk kishte qenë e fortë sa duhet në ekzekutimin e orjentimeve të Presidentit Xi, asaj i mungonte përgjegjësia politike dhe integriteti, ndërsa operohej nga një rrjet qarqesh të vogla”, – thuhej në deklaratë.

Shkelje të së shkuarës

Në deklaratën tjetër paralajmërohej se: “mos prisni që shkelje ligjore të së shkuarës do të kalojnë pa u ndëshkuar sot – këto janë mësimet e nxjerra nga rënia e Lu Wei-t”.

Nuk janë bërë të njohura ende hollësitë lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura ndaj ish-zyrtarit Lu.

Media kineze njoftoi se hetuesit do të shqyrtonin kryesisht akuzat për korrupsion ndaj Lusë për periudhën kur ai punonte për Agjencinë Kineze Shtetërore të Lajmeve HSINHUA nga viti 1991 deri në vitin 2011.

Sipas spekullimeve që kanë qarkulluar në media, Lu e kishte zemëruar Presidentin Xi, pasi presidenti pati zbuluar se ish -mbikqyrësi i internetit kishte punësuar të huaj, që pretendonin se ishin shefa ekzekutivë të kompanive shumëkombëshe teknologjike, dhe të cilët patën marrë pjesë në Konferencën Botërore të Internetit që u mbajt në Wuzhen, të provincës Zhegjiang, në vitin 2014.

Lajka për Xi-në

Analisti Willy Lam thotë se presidenti Xi, i cili thuhet se bart në vetvete një “makromani”, nuk duhet të fajësojë askënd tjetër veç vetes për prirjen e ashtuqutjur Xi Praise – një kulturë lajkash në politikën kineze.

“Ky është arti i mbijetesës në perandorinë kineze. Zyrtarët duhet të përkulen para Xi Jinping-ut, se kështu i pëlqen tij,” – thotë Lam.

Por Li Datong, drejtor i së përjavëshmes “Freezing Point” që raporton për të gjiha aspektet e jetës bashkëkohore në Kinë, thotë se “Lavdërimi i Presidentit Xi” në fakt është një politikë vetëmashtrimi.

“Nëse Xi Jinping di të kërkojë në internet, ai ka për të parë atje se si shumë shtetas kinezë tallen me të, por edhe e kritikojnë kultin e tij. Kjo është një lojë që e luan vetë qeveria kineze”, thotë gazetari.

Pakënaqësi për kontrollin e Internetit

Përdoruesit e internetit në Kinë, janë gëzuar nga arrestimi i Lu-së, megjithatë, ata janë duke shfryrë zhgënjimin e tyre ndaj kontrollit të internetit.

Siç shkruhet në një artikull të botuar në median shtetërore Global Times, “…ndërsa lajmi për heqjen nga posti të Lu-së ka shkaktuar reagime të shumta në internet, hetimi ndaj tij për korrupsion nuk po bëhet në përgjigje të pakënaqësisë që shprehin disa për kontrollin e fortë mbi internetin. Po ashtu nuk është një sinjal se kontrollet e internetit do të rivlerësohen, sikurse kanë shpresuar disa.”

Gazetari Li thotë se përdoruesit e intrentit janë të ndërgjegjshëm për faktin se kontrolli i shtetit ndaj internetit nuk ka për t’u pakësuar pas rënies së Lu-së.

Të enjten Lu Wei ishte tema kryesore e diskutimit në faqen e internetit freeweibo.com, me postime të medias sociale të cenzuruara. Në SINA Weibo, që është për Kinën një platformë për shprehjen e mendimeve, sikurse Twitteri, komentet e përdoruesve me reagime ndaj njoftimeve të shtypit ishin fshirë thuajse të gjitha.