Kina reagon ndaj kërcënimeve amerikane për të ndëshkuar tregtinë me Korenë e Veriut

E publikuar: 14/09/2017 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina është hedhur në sulm kundër kërcënimit të Presidentit Donald Trump se do të pezullojë tregtinë me të gjitha vendet që bëjnë biznes me Korenë e Veriut, pas testimit të saj më të fundit bërthamor. Kina thotë se kështu rrezikohet marrëdhënia e gjerë tregtare ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, tha sot se “është padyshim e papranueshme që ne të punojmë nga njëra anë për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë çështje, dhe nga ana tjetër të rrezikohen prej sanksioneve interesat tona. Kjo nuk është objektive dhe as e drejtë”.

Pasi Pyongyang-u kreu nëntokë shpërthimin më të madh bërthamor të djelën, Presidenti Trump tha se ai po shqyrton një sërë opsionesh, përfshirë edhe ndërprerjen e tregtisë me vendet që bëjnë biznes me Korenë e Veriut. Kjo do të dëmtonte tregtinë vjetore prej rreth 650 miliardë dollarësh ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, pasi Pekini është partneri më i madh tregtar dhe aleat i Koresë së Veriut.

Nuk është e qartë nëse Presidenti Trump do ta vërë në jetë kërcënimin e tij ekonomik, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate po kërkojnë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të ndërmarrë veprime të reja nga Pyonyang-ut. Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, i tha sot Këshillit të Sigurimit se “ka ardhur koha që t’i shfrytëzojmë edhe mjetet e fundit diplomatike përpara se të jetë shumë vonë. Duhet të marrim tani masat më të forta të mundshme”.

Zoti Geng refuzoi të thotë se çfarë masash kundër Pyongyang-ut do të mbështeste Pekini, pasi kjo do të varet nga diskutimet e zhvilluara ndërmjet vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Ai tha se Kina, si një ndër vendet anëtare të përhershme me fuqinë e vetos ndaj vendimeve të OKB-së, do të marrë pjesë “në një mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive”.

Zoti Geng shprehu gjithashtu irritimin me komentin e Kryeministrit të Australisë, Malcom Turnbull, i cili tha se Pekini ka përgjegjësinë kryesore që të influencojë Korenë e Veriut, pasi është partneri më i madh tregtar i tij.

Zoti Geng tha se “ne vazhdojmë të theksojmë se nuk mund të pritet vetëm nga Kina zgjidhja e kësaj çështjeje. Duhet që të gjitha palët të veprojnë në të njëjtin drejtim”.

Në Kombet e Bashkuara, Ambasadori kinez Liu Jieyi, i bëri thirrje Koresë së Veriut “të ndalojë së bëri veprime të gabuara”. Pekini thotë se Korea e Veriut “po i përkeqëson gjërat dhe nuk po vepron as në të mirën e interesave të saj”. Ambasadori kinez tha se Pyongyang-u duhet “të rikthehet vërtet në binarët e zgjidhjes së çështjes nëpërmjet dialogut”.

Zoti Liu tha se të gjitha palët “duhet të shqyrtojnë me seriozitet” propozimin e Pekinit për një pezullim të njëkohshëm programeve të raketave balistike dhe bërthamore të Poyngyang-ut, krahas pezullimit të stërvitjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar dhënien fund të stërvitjeve ushtarake.