Kina miraton ligjin e ri kundër terrorizmit

E publikuar: 27/12/2015 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parlamenti i Kinës ka miratuar një ligj të ri kundër terrorizmit, i cili kërkon nga firmat e teknologjisë që të dorëzojnë të dhënat e ndjeshme te qeveria, si dhe lejon ushtrinë kineze të ndërmarrë operacione anti-terroriste jashtë vendit.

Ligji i ri, i miratuar sot, po ashtu kufizon të drejtën e mediave për të raportuar mbi detajet e sulmeve terroriste.

Ligji hyn në fuqi më 1 janar. Ai është kritikuar nga vendet perëndimore derisa ka qenë vetëm në draft, sidomos për dispozitat për internetin.

Zyrtarët perëndimorë thonë se këto dispozita paraqesin kërcënim për të drejtat e njeriut dhe lirinë e të shprehurit.

Zyrtarët kinezë kanë thënë se ligji i ri kundër terrorizmit është i nevojshëm për shkak të kërcënimit në rritje nga militantët dhe separatistët.