Kina mbron politikat e saj tregtare

E publikuar: 28/06/2018 19:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina mbrojti praktikat e saj tregtare të enjten, duke i quajtur ato të dobishme për botën, ndërsa përpiqet të lehtësojë presionin nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa për të braktisur atë që këto të fundit i konsiderojnë si politika proteksioniste të Pekinit.

Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës “ka sjellë mundësi të mëdha për partnerët tregtarë në të gjithë botën”, tha në një konferencë shtypi në Pekin, ministri i Tregtisë Wang Shouwen.

Zoti Wang paraqiti një raport ku vihen në dukje reformat që Kina ka ndërmarrë që nga hyrja në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001. Ai tha se Pekini “ka kryer çdo premtim” që nga hyrja në OBT.

Mbrojtja e praktikave të biznesit të Kinës vjen mes kërcënimeve për një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe argumenteve nga Evropa dhe Uashingtoni se Kina kufizon qasjen në industritë e reja dhe vjedh ose detyron vendet e tjera të dorëzojnë teknologjitë e zhvilluara prej tyre.

Kërcënimi për rritjen e tarifave nga presidenti Trump për mallrat kineze me një vlerë prej gati 450 miliardë dollarësh reflekton frikën se veprimet e Kinës janë një kërcënim për udhëheqjen teknologjike të Amerikës. Gjermania dhe vende të tjera janë ankuar se Pekini ndalon blerjen e aseteve kineze ndërsa kompanitë kineze angazhohen në blerje të mëdha të pasurive në mbarë botën.

Mosmarrëveshja me presidentin Trump e ka lejuar Kinën, ekonominë e dytë më të madhe në botë, të pozicionohet si mbrojtës i tregtisë së lirë. I pyetur për planet e mundshme të Shteteve të Bashkuara për të kufizuar investimet kineze në sektorët e saj të teknologjisë, ministri Wang tha, “Ne shpresojmë që vendet e shqetësuara të bëjnë atë që duhet dhe të miratojnë politika që mbështesin tregtinë e lirë dhe investimet”.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë tregtarë janë të mendimit se dalja e Kinës në në sektorët e telefonave inteligjentë, teknologjinë diellore dhe të tjera nënkupton se nuk duhet t’i sigurohet më mbrojtja që i është dhënë dikur si një vend në zhvillim kur ajo u bashkua me OBT-në.

Kina ka ofruar të ulë sufiçitin e saj tregëtar prej disa miliarda dollarësh me Shtetet e Bashkuara, por ka refuzuar të heqë dorë nga një strategji që udhëheqësit e saj komunistë besojnë se është një rrugë për rritjen e ndikimit dhe prosperitetit global.

Kina dhe Bashkimi Evropian njoftuan këtë javë se do të formojnë një grup për të përditësuar rregullat e OBT-së për të mbajtur ritmin e zhvillimit ekonomik global.