Kim Jong Un thotë se "ka një buton bërthamor në tryezën e tij"

E publikuar: 01/01/2018 16:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të vetëdijshme se forca bërthamore e vendit të tij është realitet dhe jo një kërcënim. Por, ai foli me një ton pajtues gjatë fjalimit të Vitit të ri, duke u dëshiruar sukses lojërave Olimpike dimërore që do të mbahen në Jug në muajin shkurt, ndërsa paralajmëroi mundësinë që Veriu të dërgojë një delegacion për të marrë pjesë.

Kim, i veshur me një kostum gri dhe kravatë të stilit perëndimor, tha në fjalimin e zakonshëm vjetor se vendi i tij kishte arritur suksesin historik të “kompletimit ” të forcës bërthamore dhe shtoi se ai ka një buton bërthamor në tryezën e tij.

“Shtetet e Bashkuara duhet ta dinë se butoni i armëve bërthamore është në tryezën time”, tha ai gjatë fjalimit, që është përkthyer nga agjencia e lajmeve Associated Press. “Tërë hapësira e Shteteve të Bashkuara është brenda rrezes së veprimit të armëve tona bërthamore…Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk mund të fillojnë një luftë kundër meje apo vendit”.

Kim po ashtu bëri thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugun, një ide e përmendur shpesh në fjalime, por pak e përmbushur. Ai tha se Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang do të ishin një mundësi e mirë për të shpërfaqur statusin e kombit korean.

Ai tha se Veriu dhe Jugu mund të takohen shpejt për të diskutuar mundësinë që Veriu të dërgojë një delegacion.

Zyra e presidentit të Koresë së Jugut tha se e mirëpret propozimin për të biseduar rreth dërgimit të delegacionit të Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike. Zyra e presidentit Moon Jae-in, tha se mbajtja e suksesshme e Lojërave Olimpike në Pyeongchang, do të ndihmonte paqen e harmoninë jo vetëm në Gadishullin Korean dhe Azinë verilindore, por në gjithë botën.

Fjalimi i Vitit të ri, janë ngjarje vjetore në Veri dhe ndiqet nga afër për shkak të paralajmërimeve për drejtimin dhe përparësitë që Kim mund të përcaktojë për vitin përpara.

Fjalimi i këtij viti është parë posaçërisht i rëndësishëm për shkak të tensioneve të larta rreth lëshimit të shpeshtë të raketave dhe provave bërthamore të Phenianit gjatë vitit 2017. Provat ishin në qendër të përplasjeve verbale ndërmjet Veriut dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e talli Kimin duke e quajtur atë “njeriu i vogël raketë”.

Kim gjatë fjalimit nënvizoi arritjet ekonomike të Koresë së Veriut dhe vuri theksin tek rëndësia e përmirësimit të standardit jetësor të kombit.