KGJK sqaron arsyen e vendimit për avokatët

E publikuar: 09/01/2019 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda e Avokatëve të Kosovës sot ka hyrë në bojkot të përgjithshëm, për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe policinë në tërë territorin e Kosovës.

Që nga mëngjesi i sotëm Oda e Avokatëve të Kosovës sot ka hyrë në bojkot të përgjithshëm, për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe policinë në tërë territorin e Kosovës, kjo për shkak se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes një rekomandimi dhe urdhërese avokatëve u pengohet lëvizja, puna në objektet e gjykatave.

Pas bojkotit të Odës së Avokatëve të Kosovës, ka reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Përmes një njoftimi për media KGJK, ka sqaruar në detaje marrjen e këtij vendimi.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dëshiron të sqarojë opinionin publik, Odën e Avokatëve të Kosovës dhe gjithë komunitetin e avokatëve, si dhe palët e tjera të interesit se: rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përkatësisht i Komisionit për Administrimin e Gjykatave për vendosjen e një regjimi të kufizuar të qasjes në objektet e Gjykatave nuk përbën një masë kufizuese të pa-arsyeshme, jo-proporcionale dhe diskriminuese, që pengon qasjen e avokatëve mbrojtës në Gjykata. Si e tillë, masa mëton të vendosë një rend shtëpiak nëpër Gjykata, të rrisë sigurinë dhe parashikueshmërinë nëpër objektet e Gjykatave, dhe të pengojë komunikimin e pa-arsyeshëm ex-parte”, thuhet në sqarimin e KGJK-së, shkruan më tutje lajmi.net.

Sqarimi i plotë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës:

Trajtimi i çështjes së qasjes fizike të avokatëve mbrojtës në objektet e Gjykatave të Kosovës nga ana e Komisionit për Administrimin e Gjykatave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka ardhur si rrjedhojë e kërkesës së ushtruesit të detyrës të Drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, z.Arianit Salihu.

Në pyetjen/kërkesën e tij, mes tjerash, z.Salihu kërkon sqarime nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse kufizimi i qasjes fizike në objektet e Gjykatave të Kosovës për avokatët mbrojtës është në përputhje me rregullativën ligjore, përkatësisht me Ligjin për Gjykatat, Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave dhe Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtarë.

Në letër-përgjigje, Komisioni për Administrimin e Gjykatave, përmes një memorandumi informues, ka bërë shpjegimin/qartësimin e dispozitave rregullative në fuqi sa i takon detyrave dhe përgjegjësive që i takojnë Kryetarëve të Gjykatave në menaxhimin dhe administrimin ditor të punëve në Gjykata.

Tutje, në memorandumin informues, Komisioni për Administrimin e Gjykatave, vëren se përcaktimi i një rendi shtëpiak sa i takon menaxhimit të qasjes në objektet e Gjykatave bie nën domenin e administrimit ditor të Gjykatave, dhe si i tillë është kompetencë ligjore që ushtrohet nga Kryetarët e Gjykatave.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka trajtuar me kujdes të shtuar shqetësimet e Odës së Avokatëve të Kosovës, lidhur me vendimin e tyre për të bojkotuar procedurat gjyqësore dhe suspendimin e përkohshëm të aktiviteteve.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dëshiron të sqarojë opinionin publik, Odën e Avokatëve të Kosovës dhe gjithë komunitetin e avokatëve, si dhe palët e tjera të interesit se: rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përkatësisht i Komisionit për Administrimin e Gjykatave për vendosjen e një regjimi të kufizuar të qasjes në objektet e Gjykatave nuk përbën një masë kufizuese të pa-arsyeshme, jo-proporcionale dhe diskriminuese, që pengon qasjen e avokatëve mbrojtës në Gjykata.

Si e tillë, masa mëton të vendosë një rend shtëpiak nëpër Gjykata, të rrisë sigurinë dhe parashikueshmërinë nëpër objektet e Gjykatave, dhe të pengojë komunikimin e pa-arsyeshëm ex-parte.

Qasja e plotë, e çdokohshme dhe si rrjedhojë komunikimi i përhershëm dhe pa asnjë kufizim i avokatëve me gjyqtarët mund të ngrisë dyshime për diskutim nga ana e tyre të rasteve që avokatët përfaqësojnë dhe kësisoj dyshime rreth trajtimit nga ana e gjyqtarëve të të gjitha palëve në mënyrë të barabartë, pa favorizime, anime dhe paragjykime, ashtu siç kërkohet me nenin 2 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dëshiron të sqarojë se, avokatët mbrojtës dhe palët tjera të interesuara do të kenë qasje të pakufizuar në objektet e Gjykatave kur kanë një ftesë/leje që është lëshuar rregullisht nga autoriteti kompetent dhe kur bëhet fjalë për seancat dëgjimore. Gjithashtu, është e vetëkuptueshme, që masa kufizuese nuk vlen për zyrat apo hapësirat tjera të Gjykatave ku bëhet dorëzimi i shkresave dhe parashtresave gjyqësore.

Si përfundim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dëshiron të ftojë përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe gjithë komunitetin e avokatëve që të kenë parasysh detyrimet ligjore të avokatëve rreth përfaqësimit të palëve në procedurë gjyqësore dhe parimet e mishëruara në Kodin e Etikës Profesionale të Avokatit, në veçanti kërkesën e nenit 40 të Kodit që u kërkon avokatëve, në kryerjen e profesionit të tyre, të ruajnë autoritetin e gjykatave dhe të shprehë respektin e duhur ndaj tyre.

Mbi këto baza, Këshilli i bën thirrje komunitetit të avokatëve që të reflektojnë mbi gjendjen e krijuar dhe me mirëbesim t’u përgjigjen kërkesave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke suspenduar çfarëdo forme të pengimit të administrimit të gjyqësorit.

Bashkërisht, jemi të përkushtuar për një gjyqësor të pavarur, efikas, llogaridhënës dhe që u përgjigjet nevojave të qytetarëve, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë, pa favorizime, anime dhe paragjykime.

Përfundimisht, rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk është asgjë më shumë dhe as më pak se shprehje normative e kuadrit ligjor dhe etik në fuqi, për zbatimin dhe respektimin e të cilit kemi detyrim kolektiv.