KFOR’i vendos kufirin Kosovë-Serbi në Karaçevë

E publikuar: 21/07/2018 20:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtëpinë e ka ndërtuar pak pas përfundimit të luftës, por Rasim Lenjani, afër të 80-ave, thotë se të paktën edhe dy breza të familjes së tij, kanë jetuar në fshatin Karaçevë të Kamenicës.
Rrjedhimisht, të gjitha obligimet i kanë paguar në Komunën e Kamenicës, raporton KTV.

Por, shtëpia dhe toka e Rasim Lenjanit, banor i Karaçevës, dhe e afër 170 pronarë të tjerë, përfaqësues të këtij fshati thonë se do të kalojnë në kuadër të komunës së Bujanocit.

Një gjë e tillë, sipas banorëve, do të ndodhë nëse përcaktohet kufiri sipas tabelave që janë vendosur gjatë kësaj së premteje nga KFOR-i.

Tabela të ngjashme, të vendosura në hyrje të Karaçevës, ishin larguar në të kaluarën nga banorët dhe nuk ka pasur të tilla që nga viti 2010.

Kështu shprehet edhe Ismajl Kastrati, që i ka gati 85 vjet, dhe ishte prezent kur ishin hequr tabela të tilla edhe në vitin 2008.

Një prej banorëve më të zëshëm nga kjo anë, Selver Lenjani, thotë se do të presin që nga fillimi i javës së ardhshme, të qartësojnë këto veprime të fundit.

Që nga përfundimi i luftës, banorët e kësaj zone disa herë kanë alarmuar për futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Komunës së Kamenicës.

Kosova ende nuk ka bërë shënjimin e vijës kufitare me Serbinë. E ky proces ka qenë mjaft kontradiktor me dy shtete të tjera, Maqedoninë e Malin e Zi së fundmi.