Këto janë procedurat prej ngritjes së aktakuzave e deri tek arrestimet e para

E publikuar: 26/02/2020 09:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale avokati i akredituar nga ky institucion Artan Qerkini ka treguar për “Zërin” procedurat që priten të ndodhin brenda këtij institucioni që nga ngritja e aktakuzave e deri tek arrestimet e para.

Kësisoj, ai ka theksuar se gjyqtari i procedurës paraprake duhet t’i shqyrtojë aktakuzat dhe bazën mbi të cilën janë ngritur ato.

“Tashmë është bërë publik lajmi se Prokurori i Specializuar ka ngritur një ose disa aktakuza në Gjykatë, mirëpo duke u bazuar në Rregulloren e Procedurës së Provave kryetari i Gjykatës duhet ta caktojë një gjyqtar të procedurës paraprake, i cili ka për obligim ta shqyrtojë aktakuzën dhe të bindet se nga provat e prezantuara në aktakuzë ekziston dyshimi i bazuar mirë se një person që është akuzuar e ka kryer atë vepër penale. Dhe nëse gjyqtari i procedurës paraprake bindet se ekziston dyshimi i bazuar mirë, ai e konfirmon aktakuzën”, ka thënë Qerkini.

Detyrë e këtij gjyqtari në këtë fazë, sipas Qerkinit, do të jetë të vërtetojë nëse provat. Të cilat janë mbledhur janë në përputhje me dispozitat ligjore dhe me Rregullore, sepse në të kundërtën ato shpallen të papranueshme. “Pra ai duhet të vendosë se a ekziston dyshimi i bazuar mirë se është kryer vepra penale dhe se provat janë marrë në mënyrë të ligjshme.

Nëse e konfirmon aktakuzën tek pas konfirmimit, atëherë do të bëhet publike ajo, megjithatë Rregullorja parasheh mundësinë që aktakuza të mos bëhet publike për arsye të ndryshme edhe pas konfirmimit të saj”, është shprehur tutje ai.

Ndërkohë Qekini ka potencuar se nuk dihet afati kohor se kur do të konfirmohen ose jo aktakuzat, sepse kjo varet nga vëllimi i provave të siguruara nga Prokurori Special. “Se sa do t’i nevojitet kohë gjyqtarit ta shqyrtojë aktakuzën varet nga vëllimi i aktakuzës dhe nga vëllimi i provave që janë në dispozicion.

Procedura hetimore mund të vazhdojë për të pandehurit e tjerë për të cilët prokurori ende nuk ka gjetur prova, që e plotësojnë standardin e dyshimit të bazuar mirë. Në momentin kur ai mendon se ka arritur atë standard, atëherë i dorëzon aktakuzat”, ka sqaruar tutje ai.