Këto janë 10 kërkesat e serbëve pas takimit të sotëm në Graçanicë

E publikuar: 18/03/2015 18:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mbledhjen e parë të Kuvendeve komunale më shumicë serbe që është mbajtur sot në Graçanicë janë dalë edhe dhjetë konkluzione.
Në mbledhjen ku ka marrë pjesë edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq kanë kërkuar përfaqësim të serbëve jo vetëm në komunat me shumicë serbe por edhe në ato ku komuniteti serb është pakicë.

Dhjetë konkluzionet e dala nga kjo mbledhje:

1.Populli serb i Kosovës kërkon respektimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore lidhur me përfaqësimin e serbëve në institucionet dhe ndërmarrjet publike në të gjitha nivelet, si edhe me përfaqësimin e serbëve në komunat në të cilat serbët nuk janë në shumicë.

2.Serbët nga Kosova po insistojnë mbi parimin se përfaqësimi i tyre në institucionet në të gjitha nivelet dhe përzgjedhja e personelit serb është nën kompetencën ekskluzive të përfaqësuesve politikë të përzgjedhur serbë;

3.Kërkojmë mbrojtjen e plotë të pronës dhe të drejtave të Kishës ortodokse serbe;

4.Kërkojmë që miratimi i propozimeve të reja legjislative mbi çështjet e rëndësishme për komunitetin serb të bëhet vetëm me aprovimin e përfaqësuesve politikë të përzgjedhur serbë;

5.Prioriteti në punën e të gjithë përfaqësuesve serbë në institucionet publike në të gjitha nivelet duhet të jetë krijimi i kushteve gjithëpërfshirëse për rikthimin e të dëbuarve, si edhe sqarimi i fatit të të rrëmbyerve dhe të zhdukurve dhe ndjekja penale të atyre që janë përgjegjës për krimet e kryera nga viti 1998;

6.Komuniteti serb kërkon ndalimin e privatizimit të pronës shtetërore, shoqërore dhe bashkëpunuese dhe hetimin e keqpërdorimeve në procesin e privatizimit të mëparshëm;

7.Është e nevojshme të zbatohet regjistrimi i përgjithshëm në komunat më shumicë serbe si një parakusht për sigurimin e buxheteve reale të pushteteve lokale;

8.Kërkojmë përfaqësimin adekuat të serbëve në sistemin e drejtësisë, emërimin e noterëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe punëtorëve administrativë në gjyqësorin, njohjen e licencave të Odës së Avokatëve të Serbisë dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë dhe ndalimin e procedurave me motivin politik;

9.Është e nevojshme një mbrojtje e vërtetë të gjuhës serbe, identitetit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe të drejtës së informimit, me përmirësimin e rregullores në këto fusha;

10.Komuniteti serb merr vendim për aktivitetin unik politik, mbrojtjen e të drejtave dhe realizimin e interesit të popullit serb përmes formimit të Bashkësisë së komunave serbe të fortë dhe kërkon që t’i dërgohet projekt-statuti i harmonizuar të BKS-së mbledhjes së përbashkët të kuvendeve komunale.