Këta janë kandidatët për kryetar të Gjakovës

E publikuar: 30/09/2017 16:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Image

Mimoza Kusari-Lila

Kandidatja e Alternativës për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, edhe në këto zgjedhje lokale pretendon t’i mbajë çelësat e Zyrës së kryetarit të kësaj komune, siç i kishte për gati katër vjet të këtij mandati që po përfundon. Ekonomistja me magjistraturë të përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mandatin e saj të parë si kryetare e Gjakovës, si fokus ka pasur normalizimin e situatës dhe rehabilitimin financiar e menaxherial të komunës. Pastaj krijimin e një themeli të fortë për vazhdimin e projekteve strategjike dhe tërheqjen donacioneve në veçanti nga bashkësia ndërkombëtare. Ishdrejtoresha e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe femra më e votuar në zgjedhjet e vitit 2010, nëse fiton mandatin e ardhshëm, në fokus ka avancimin e shërbimeve komunale, të cilat siç thotë ajo, kanë arritur një stabilitet në këtë mandat, por që kanë qenë, sipas saj, shumë të neglizhuara nga qeverisja e kaluar. “Shtyllë tjetër për mandatin e ardhshëm i kemi iniciativat e ndërmarrësisë lokale, gjegjësisht zhvillimin ekonomik lokal. Këtë shtyllë e kemi filluar në këtë mandat për tre vjet radhazi dhe u kemi ndihmuar rreth 160 bizneseve të Komunës së Gjakovës. Ndërkohë këto programe kanë marrë tashmë mbështetje edhe më të madhe nga komuniteti i donatorëve, që vazhdon edhe në vitin 2018 dhe ne do të vazhdojmë të ndajmë edhe nga buxheti komunal”, thotë Kusari – Lila, e cila për herë të tretë radhazi konkurron për të parën e Gjakovës.

Image

Ardian Gjini

Kandidati nga radhët e AAK-së, Adrian Gjini, i ka hyrë për herë të parë garës për kryetar të Gjakovës, me tri shtylla kryesore në programin e tij qeverisës për këtë komunë. Magjistri në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane, si prioritet të parë ia ka vënë vetës bërjen e Gjakovës të jetueshme dhe më të dashur për qytetarët, me projekte të reja, të cilat, sipas tij, kanë për t’i bërë gjakovarët me dëshirë të jetojnë dhe punojnë në qytetin dhe fshatrat e tyre. Si shtyllë të dytë në programin e tij, Gjini ka ngritur zhvillimin ekonomik, me një koncept dhe menaxhim, siç thotë ai, të ri publik. Me këtë koncept, sipas tij, i tërë buxheti do të investohet, si dhe do të ketë organe të reja, si për shembull Këshilli publiko-privat, i cili, siç thotë Gjini, do të funksionojë si urë ndërlidhëse mes komunës dhe ndërmarrësve për të bashkëpunuar mes vete, ku komuna do të jetë partner i tyre. Pastaj Gjini premton ndërtimin e parkingjeve publike dhe infrastrukturës rrugore, ndër të tjera edhe rrugën e Radoniqit dhe rrugën deri në lokacionin e kodrinën e njohur në Gjakovë si “Maja e Kunorës”. Me programin e tij qeverisës, Gjini thotë se do të rrisë kualitetin e shërbimeve shëndetësore me funksionalizimin e plotë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Në arsim, siç thotë ai, do të ndërpresë praktikën klienteliste dhe nepotiste të punësimit, përmes transparencës së plotë gjatë procesit të rekrutimit dhe të punësimit. Ai premton investime në rregullimin e plotë dhe afatgjatë të infrastrukturës shkollore. Gjatë katër vjetëve të mandatit ai premton edhe ndërtimin e tetë çerdheve publike në këtë komunë.

Image

Ramadan Hoti

Kandidati i PDK-së për kryetar të Gjakovës, Ramadan Hoti, i cili ka qenë nënkryetar i Gjakovës tre vjet e gjysmë në mandatin aktual që po përfundon, thotë se ka shumë arsye pse ka kandiduar për kryetar të Gjakovës. E njëra prej arsyeve kryesore, sipas tij, është besimi dhe vullneti që ka për të dhënë shumë për Gjakovën. Hoti, që ka kryer Fakultetin e Biznesit, drejtimin Emergjent dhe Siguri, dhe i cili më herët ka qenë për disa vite menaxher i një ndërmarrjeje private, thotë se ofertat e tij janë qeverisja e mirë, zhvillim ekonomik, siguri dhe garanci për krejt qytetarët e Komunës së Gjakovës. Për ta zhvilluar Gjakovën ai thotë se ka disa projekte të mëdha. Në mesin e këtyre projekteve që ai ka përfshirë në programin e tij, thotë se janë edhe projektet për ndërtimin e hyrje-daljeve në qytetin e Gjakovës. “Hyrjet dhe daljet në drejtim të Prishtinës dhe Prizrenit, që do të bëhen me katër korsi dhe me rrethrrotullim rrugor. Ky projekt është një prej prioriteteve të mia që ia kam vënë vetës si kusht që patjetër në mandatin tim duhet të kryhen”, thotë Hoti. Gjithashtu edhe arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, sipas tij, zënë vend të rëndësishëm në programin e tij qeverisës. “E kemi një grup ekspertësh që janë duke punuar në platformën, e cila ende nuk është e përfunduar e tëra”, thotë Hoti.

Image

Bekim Ermeni

Magjistri i industrisë ushqimore, Bekim Ermeni, është kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Gjakovës, i cili që nga viti 2014 është drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Gjakovës. Për qeverisjen e Gjakovës, ai thotë se ka një strategji dhe program krejtësisht të ri të prira nga disa parime. “Njëra ndër to është qeverisje e ndershme me një elitë të njerëzve, të cilët do të kthejnë besimin e qytetarëve tek institucionet komunale. Pastaj llogaridhënia dhe transparenca, fuqizimi i gruas në vendimmarrje dhe mbështetje e fuqishme e programeve dhe e iniciativave rinore. Do të ndërtojmë një strategji të mirëfilltë të shfrytëzimit së pari të fondeve komunale dhe pastaj potencialisht të atyre ndërkombëtare të BE-së dhe donatorëve të tjerë potencialë”, veçon ai disa nga parimet në strategjinë e tij qeverisëse. Ermeni, i cili vitet e kaluara ka punuar në ndërmarrjet vendore prodhuese të ushqimit dhe ka drejtuar projekte të ndryshme në organizata vendore dhe të huaja, premton se do të luftojë korrupsionin, nepotizmin, mafinë urbane dhe dukuritë e tjera, të cilat, sipas tij, ndikojnë në raportin në mes të qeverisë lokale dhe qytetarit. Nëse bëhet kryetar, ai i ka vënë vetës si detyrë përgatitjen e Planit Zhvillimor Komunal, si bazë e zhvillimit të mirëfilltë të komunës së Gjakovës.

Image

Driton Çaushi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Driton Çaushi, aktualisht është asistent i rregullt në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, në universitetin “Hasan Prishtina”. Gjatë viteve 2007-2011 vijoi studimet e doktoraturës në Fiziologji Veterinare, në Universitetin e Lirë të Berlinit, ku gjithashtu mori pjesë në mësimdhënie, si dhe punoi si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Fiziologjisë Veterinare në të njëjtin universitet. Nëse bëhet kryetar, ai thotë se do t’i përkushtohet kthimit të nevojave elementare të qytetarëve, duke ngritur, siç shton ai, në radhë të parë cilësinë e shërbimeve publike, shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Këto ai thotë se do t’i arrijë me programin, sipas tij, shumë konciz dhe me pika konkrete, të cilat ai zotohet se do t’i realizojë. “Për zhvillim ekonomik, do të jemi më afër qytetarëve dhe ndërmarrësve gjakovarë. Do të përkrahen me subvencione ndërmarrësit e mesëm e të vegjël, por do të jemi shumë të kujdesshëm sesi do t’i shpërndajmë subvencionet, të cilat brenda mundësive buxhetore do të rriten”, thotë Çaushi, duke sqaruar se me subvencione do të fokusohen te ndërmarrësit prodhues. Sipas tij, më shumë subvencione do të ketë edhe për bujq. Çaushi prioritet e ka edhe parandalimin e degradimit të qytetit në planin urbanistik, ngase, siç thotë ai, ka shumë lagje të Gjakovës që kanë humbur fizionominë, në mungesë të planeve rregulluese.

Image

Fazli Hoxha

Kandidati për kryetar të Gjakovës i subjektit Nisma për Kosovën, Fazli Hoxha, në programin e tij qeverisës ka përfshirë 19 prioritete të fushave të ndryshme, të klasifikuara prej tij si të rëndësishme për Gjakovën. Magjistri i Shkencave në Edukim dhe ish-epror në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si prioritet kryesor e ka bërjen me ujë të pijshëm të gjitha fshatrat e Gjakovës. “Në të gjitha fshatrat e Gjakovës do të jetë i rregulluar sistemi i ujësjellësit, sepse aktualisht kemi 22 fshatra që nuk kanë ujësjellës. Pra në fund të mandatit tim nuk do të ketë fshatra pa ujësjellës”, premton Hoxha, i cili nga mesi i shtatorit është punësuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nëse merr drejtimin e Gjakovës, ai thotë se do të realizojë gjatë mandatit këto prioritete, në mesin e të cilave edhe përkrahja dhe subvencionimi i bizneseve private, ofrimin e hapësirave komunale për fabrika dhe për biznes në bazë të numrit të të punësuarve, kapacitetit biznesor dhe krijimit të vendeve të reja të punës, krijimi i lehtësirave administrative dhe teknike për investitorët, si dhe ulja e taksave dhe tarifave komunale për investitorë për krijimin e vendeve të lira pune. Lirimin nga taksat komunale, sipas tij, do të kenë bizneset që mbështesin sportin. Ndërsa, si prioritet të parë ai e ka renditur digjitalizimin e sistemit shëndetësor.