Këta janë 71 zyrtarët publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë (Dokument)

E publikuar: 07/04/2015 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtatëdhjetë e një zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre dhe nuk kanë dhënë ndonjë arsye gjatë procesit të rregullt vjetor të deklarimit të pasurisë, kurse katër zyrtarë të tjerë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë kanë dhënë arsyet objektive të mos deklarimit, (gjenden jashtë vendit për shërim ose janë në paraburgim).
Sipas një njoftimi nga Agjencia Kundër Korrupsionit, sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, këtë vit deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë kanë pasur për obligim ta bëjnë 4200 zyrtarë kurse deklarimin e kanë bërë 4125 zyrtarë – shprehur në përqindje rreth 98.3 për qind.

“Siç dihet, vitin e kaluar, vetëm dy zyrtarë nuk e patën deklaruar pasurinë, ndërkohë që pati shënuar deklarimin në nivelin më të lart që nga viti 2007. Mirëpo këtë vit ka një rritje të mos deklarimit”, thuhet në njoftim.

“Mendoj se arsyeja që sivjet kemi 71 zyrtarë në listën e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë, krahasuar me vetëm dy që ishin vitin e kaluar është fakti i mos sanksionimit nga ana e gjykatave”, citohet të ketë thënë drejtori i Agjencisë, Hasan Preteni.

Sidoqoftë, siç thuhet në njoftim, Agjencia, ashtu sikurse ka vepruar në të kaluarën, konform nenit 437 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, do t’i adresojë Kallëzimet Penale nëpër gjykatat kompetente ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve që nuk i janë përgjigjur obligimit të tyre ligjor pa dhënë arsye objektive. /Telegrafi/