Kështu do të duket shtëpia muze e heroit Nuhi Berisha

E publikuar: 04/12/2019 10:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në fshatin Svircë të Kamenicës, shumë afër kufirit të tashëm Kosovë – Serbi, gjendet shtëpia e Rexhep Berishës, përkatësisht e Nuhi Berishës, atdhetarit, veprimtarit e dëshmorit të kombit.

Ajo tashmë është rrënuar gati krejtësisht dhe po rindërtohet me destinim për shtëpi muze. Shtëpia e familjes Berisha, tradicionalisht ka qenë mikpritëse, atdhetare e bujare, në shërbim të çështjes shqiptare dhe kauzës së bashkimit kombëtar.

Sipas bashkëvendësit të Rexhep Berishës, Musli Berisha, kjo shtëpi mund të jetë e vjetër rreth 70-75 vjet. Ndërtimi i saj mund të jetë bërë rreth dekadave 4-5 të shekullit XX.

“Për herë të parë, gjegjësisht shtëpinë e parë e ka ndërtuar gjyshi i Nuhi Berishës, Sylë Berisha”, ka thënë për MediaFokus drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan (QRTK), Arton Hoxha.

Por shtëpia fillestare është shkatërruar dhe në vend të saj është ndërtuar ky objekt që gjendet sot.

Ndërtimi i kësaj shtëpie muze i takon tipit të shtëpive tradicionale shqiptare. Është punuar me gurë të latuar dhe të pa latuar, tulla dhe qerpiçë dhe i takon arkitekturës fshatare.

“Në bazë të rrëfimit të fqinjëve, objekti nuk ka pësuar ndryshime të shumta. Kryesisht është ruajtur origjinaliteti, përveç korridorit të parë, i cili është ndërtuar më vonë dhe tavanit të njërës dhomë që është rinovuar nga vetë axha Rexhep”, ka thënë Hoxha.

Përveç vlerave të vjetërsisë e arkitektonike, kjo shtëpi ka edhe vlera historike.

Oborri zë një hapësirë mjaft të gjerë, me një ambient shumë piktoresk, i rrethuar me pemë e drunj të ndryshëm. Në oborr gjenden objektet përcjellëse: dy ngrehina të vogla dhe koshi, të cilat janë dëmtuar në masë.

Familja Berisha ka nxjerrë breza atdhetarësh, në krye me patriotin, ish të burgosurin politik dhe luftëtarin e paepur për liri, i cili në asnjë moment nuk iu përkul armikut, Nuhi Berisha.

Shtëpia, nga viti 2014 gëzon statusin e objektit të mbrojtur me ligj, ndërkaq në shtatorin e këtij viti ka filluar rindërtimi i saj.

.