Këshilltarja e Vuçiqit, për sulmin në Potoçar: Pesë sekonda ishin në pyetje që të mbesim gjallë! (Video)

E publikuar: 12/07/2015 03:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Suzana Vasileviq – këshilltarja e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq – e cila ka qenë në Potoçar për homazhe të 20-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, ka folur rreth sulmit mbi kryeministrin gjatë daljes nga manifestimi.

“Ka qenë dita më e vështirë në karrierë si kryeministër, por edhe në jetën e Aleksandër Vuçiqit. Ai e mori këtë vendim pas një konsultimi të gjatë. Ishte vendim mjaft i vështirë, por kjo nuk do të ndikojë aspak në karrierën apo elektoratin e tij. Ai ka vepruar si burrështetas për të respektuar viktimat”, tha Vasileviq, sipas së cilës një nga nënat e viktimave e kishte përqafuar Vuçiqin dhe i dëshiroi mirëseardhje duke i thënë se është i ri dhe mund të korrigjojë gabimet, transmeton Telegrafi.

Ajo ka sqaruar ngjarjen dhe kohën për të cilin ata nuk do të ishin gjallë më.

“Pasi vumë lule dhe ecëm pak, turma filloi të brohoriste ‘vrisni çetnikët’ dhe ‘vrajeni Vuçiqin’. Më pas fluturuan gurët, gotat, shishet, këpucët dhe çdo gjë që mund të na godiste. Ne kishim vetëm pesë sekonda që të zhdukeshim nga aty. Ndoshta tani nuk do të ishim këtu, në Beograd”, tha më tej Vasiljeviq për B92.

Vasileviq kërkoi që autoritetet boshnjake të gjejnë fajtorin. Ndërsa, shton se sigurimi i Vuçiqit u gjet mirë në atë rast.

Sipas saj, askush këtë sulm nuk e kishte pritur dhe se në ato momente ishte e pamundur të debatohej diçka. /Telegrafi/