Këshilltarja e Haradinajt zbulon “të vërtetën e Ramës në Samitin e Berlinit”

E publikuar: 26/10/2019 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Meliza Haradinaj, këshilltare e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjës Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues.

Ajo ka thjënë se “megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë”.

“KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush”, ka shkruar Haradinaj.

Gjithnjë sipas saj, “dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyrës së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë”.

“Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5-të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhepse me mbathje atraktive.

Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%”, ka shkruar ajo.

Haradinaj ka thënë se “e vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!”.

“Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate! Ma thoni cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!”, ka shkruar ajo

Kjo deklaratë vjen pas asaj të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se do të ngre padi ndaj kryemisnitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit e përmend Ramën, se bashkë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë punuar për idenë e ndarjes së Kosovës, ku një pjesë e Trepçës do të mbetej në Serbi, e kështu Kosova do të humbte miliarda euro.