Këshilltari i Vjosa Osmanit i reagon Haradinajt: Në politikë nuk kryejnë punë muskujt, por shkathtësitë që ju nuk i keni demonstruar

E publikuar: 12/01/2021 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Faton Peci i ka reaguar kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka deklaruar se “Kosova ka një president të dobët në detyrë”.

Peci, përmes një postimi në Facebook ka thënë se e kupton mendësinë e gjykimit të Haradinajt, për shkak se ka sfond prej ushtaraku, por theksoi se në politikë nuk kryejnë punën muskujt.
“Në politikë nuk kryejnë punë muskujt, por shkathtësie politike, të cilën ju nuk e keni demonstruar. Kjo, ngase po të ishte kështu do të ishe ende kryeministër, por jo shef i një partie të vogël opozitare, që lufton për mbijetesë”, shkruan Peci.
Ndryshe, Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar udhëheqësit e tanishëm të vendit, duke theksuar se vendi ka nevojë për një president të fortë.

Haradinaj ka thënë se Serbia po ndihet e fortë kur Kosova ka një qeveri të shkarkuar dhe një president sipas tij, të dobët në detyrë.

Postimi i plotë:

Z.Haradinaj,

E kuptoj mendësinë e gjykimit tënd. Si një njeri me sfond prej ushtaraku, edhe politikën e kupton nga prizmi i fuqisë fizike.
Në politikë nuk kryejnë punë muskujt, por shkathtësie politike, të cilën ju nuk e keni demonstruar. Kjo, ngase po të ishte kështu do të ishe ende kryeministër, por jo shef i një partie të vogël opozitare, që lufton për mbijetesë.

Natyrisht, qasja juaj ndaj zonjës Osmani lidhjet jo me përfaqësimin e vendit në relacion me Serbinë, por dëshirën tënde për t`u ulur në karrigen e presidentit të vendit.

Boll ma! Prej 20-vjetësh keni bërë shumë salto politike, duke ia rrënuar kredibilitetin ndërkombëtar Kosovës, si asnjëherë më parë.

Sot, dhimbja jote nuk ka të bëjë me Kosovën, por me vetveten. Prit në të gjelbrën, ka radhë! Kësaj here, edhe pse ushtruese detyre, Vjosa Osmani dëshmoi se jo vetëm që mundet më mirë, por edhe e ka hak të jetë në krye të vendit për një përfaqësim të denjë dhe me guximin për t`i thënë gjërat troç, ngase nuk e ka bishtin e zënë me derë, sikurse shumica e politikanëve të brezit të vjetër.
Është nder për Kosovën ta ketë një presidente si Vjosa Osmani. Me guximin dhe vizionin politik, ajo po e dëshmon dhe do ta dëshmojë se është presidente e fuqishme politikisht (jo me muskuj) dhe se me Serbinë është koha e përballjes në tavolinë. Vjosa këtë e ka dëshmuar me aktivitetin politik. Siç e dini edhe ju, është pikërisht Vjosa që një betejë me Serbinë e ka fituar ende pa qenë presidente. Ajo ishte pjesë e ekipit që përfaqësoi Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Pra, kjo është vetëm një dëshmi se Vjosa është më e fortë, më e fuqishme dhe më e shkathtë politikisht!

Deri në fitoren e radhës, mirupafshim.