Këshilltari i Trumpit ka takuar zv/kryeministrin rus gjatë fushatës

E publikuar: 07/11/2017 09:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ish-këshilltar për politikë të jashtme i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, ka pranuar para Kongresit se ka pasur kontakte me një zyrtar të lartë të Kremlinit, derisa ka qenë në një udhëtim në Rusi, vitin e kaluar.

Sipas transkriptit të publikuar, Carter Page, këshilltar i papaguar, i cili e ka lënë fushatën përpara se Trump të zgjidhej, i ka thënë Komitetit për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve se “shkurtimisht e ka përshëndetur” zëvendëskryeministrin rus, Arkady Dvorkovich, në korrik të vitit 2016, kur edhe ka qenë në Rusi për një fjalim.

Pas pyetjeve të përsëritura për kontaktet, të cilat Page i ka mohuar në të kaluarën, ai ka thënë se ka biseduar me Dvorkovichin pas fjalimit në Shkollën Ekonomike të Moskës.

“Ka qenë një bisedë e shkurtër. Ka qenë kënaqësi. Nuk mund t’i kujtoj fjalët e sakta që kam thënë”, ka thënë Page në dëshminë e tij.

Page, ish-bankier i kompanisë bankare Merrrill Lynch në Moskë, ka thënë se e ka parë Dvorkovichin edhe në një darkë, gjatë udhëtimit të tij të dytë në Rusi, në dhjetor të vitit 2016.

I pyetur nëse ai ka pasur takim privat me Dvorkovichin, Page është përgjigjur: “Kemi pasur, ai ka ndaluar në darkën në të cilën kam shkuar me njerëz të universitetit, në dhjetor”.

Dëshmia e Page është pjesë e hetimeve të Komitetit për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar, dhe për lidhjet e mundshme të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë. Rusia e ka mohuar ndërhyrjen, ndërsa Trump ka hedhur poshtë bashkëpunimin e fshehtë me Kremlinin.

Page ka dhënë dëshminë më 2 nëntor, por transkripti i intervistës me dyer të mbyllura është publikuar të hënën.

Page po ashtu ka thënë se i ka informuar disa anëtarë të fushatës së Trumpit për udhëtimin e tij në Rusi, përfshirë edhe senatorin e atëhershëm, Jeff Sessions, i cili tani është prokuror i përgjithshëm.

Kjo mund të ngrejë më shumë pyetje rreth asaj se sa ka qenë në dijeni Sessions për ndërveprimet midis ndihmësve të fushatës së Trumpit dhe rusëve.

Sessions është tërhequr nga mbikëqyja e hetimeve të fushatës së Trumpit, në muajin mars, pasi ka pranuar se ka pasur dy biseda të pazbuluara me ish-ambasadorin rus në SHBA, Sergey Kislyak, gjatë fushatës.

Page ka këmbëngulur se udhëtimi i korrikut 2016 ishte personal dhe se nuk ka pasur lidhje me fushatën.

Megjithatë, Komiteti ka nxjerrë një email, në të cilin Page u ka shkruar zyrtarëve të fushatës dhe u ka kërkuar t’i thonë “nëse kanë ndonjë vërejtje apo mendim, se si e preferojnë qasjen e tij”.

Page ka thënë se nuk ka pasur lidhje direkte me Qeverinë ruse, edhe pse ka pranuar se mund të ketë folur me zyrtarë të ndryshëm të Kremlinit ndër vite.

Përgatiti: Valona Tela