Këshilltari i Haradinajt i futet garës për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit

E publikuar: 06/09/2019 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka treguar se do të garojë për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Ai përmes një njoftimi në profilin e tij ka thënë se ka ndjekur kauzën e drejtë të Haradinajt për një shtet 100 për qind.

Ndër të tjera ka rreshtuar disa prej të arriturave përgjatë kohës sa ka qeverisur Ramush Haradinaj, duke përmendur ushtrinë, ndaljen e idesë së korrigjimit të kufijve dhe taksën.

Njoftimi i plotë:

Po, do të hyj në garë elektorale 🇽🇰

Qytetare dhe qytetarë të Republikës sonë!

E kam mbrojtur me pasion, rendin e saj kushtetues dhe simbolik edhe kur m’kanë sha e denigru, turmat nervoze e t’zemrueme. E kam mbrojtë këtë Republikë pa u lëkundë, në ditët e saj të kqia dhe të mira!

Dhe kam me i dhânë dashuni e besnikëri deri në frymën e fundit!

Nuk kam një Atdhe rezervë.

Si këshilltar politik i Kryeministrit Ramush Haradinaj, i kam shërby kauzës së tij për shtetin 100%, sepse ai pati të drejtë!

Edhe kur e mori bekimin e James Mattis, Sektetarit amerikan të Mbrojtjës me e kriju ushtrinë e Kosovës, edhe kur u tha jo ideve për copëtimin e Kosovës.

Me taksën 100% ai ia riktheu dinjitetin shqiptarit të Kosovës.

Do të ta kërkoj votën tuaj si kandidat për Deputet të Kuvendit të Kosovës!

I vetëdijshëm se kemi bâ edhe gabime, por jo aso qe e dâmtojnë shtetin, tânsinë territoriale dhe sigurinë e vendit.

Me besim se kam me bâ ma t’mirën për Ju dhe Kosovën e 17 shkurtit, si e vërteta e parë dhe sublime, projekt i përhershëm dhe shtet unik e i pacënueshëm.

Për konceptin 100% shtet të Ramush Haradinajt dhe AAK-së, për Kosovën e fortë e me shumë miq!

Votoni opsionin fitues me 6 tetor, 100% me Ramushin.

Referendum në mbrojtje të Atdheut tonë!