Këshilli NATO-Rusi diskuton për Ukrainën

E publikuar: 17/12/2016 10:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli NATO-Rusi, kanali i vetëm aktual i dialogut mes Aleancës ushtarake dhe Rusisë, pritet të takohet në selinë e NATO-s në Bruksel më 19 dhjetor, konfirmoi një zyrtar i Aleancës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri të ditur planet për takimin në fjalë gjatë samitit të Bashkimit Evropian një ditë më parë.

“Ne do të diskutojmë lidhur me tema që kanë të bëjnë me sigurinë evropiane dhe në veçanti lidhur me Ukrainën”, deklaroi dje Stoltenbergu pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Pas takimit të Këshillit, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës pritet të bëjë një deklaratë, shtoi zyrtari i NATO-s.

Ndonëse nuk bëhet e ditur agjenda e bisedimeve, çështja e manovrave ushtarake ruse përgjatë krahut lindor të NATO’s mund të jetë një nga temat e diskutimeve.