Kerry: Rusia dhe Irani të ndihmojnë në konfliktin në Siri

E publikuar: 23/09/2015 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, u ka bërë thirrje Rusisë dhe Iranit që të ndihmojnë me përpjekje diplomatike për ndaljen e luftës katërvjeçare në Siri.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen në dialog për promovimin e marrëveshjes së paqes, me të cilën do të parashihej largimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë zoti Kerry, mbrëmë në Uashington.

Mëtutje, diplomati i lartë amerikan theksoi se “niveli dhe tipi” i aeroplanëve që Rusia i ka dërguar në Siri, “për momentin” është në përputhje me mbrojtjen e forcave të veta në një bazë ajrore afër qytetit bregdetar sirian, Latakia.

Megjithatë, John Kerry është shprehur se synimi përfundimtar i Rusisë në Siri ende nuk është i qartë.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për përqendrimin ushtarak të Rusisë në Siri, dyke shprehur dyshime se Moska synon mbështetjen e qeverisë së presidentit, Bashar al-Assad.

Moska thotë se synon ta ndihmoj Sirinë, që është aleate për një kohë të gjatë, ta luftoj grupin ekstremist, Shteti Islamik.