Kerry: Përkundër progresit, mbesin dallime në bisedimet me Iranin

E publikuar: 21/03/2015 15:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se megjithqë është arritur “progres” në bisedimet me Iranin për programin e tij atomik, ende ka “dallime” të rëndësishme.

“Gjatë disa muajve të kaluar P5+1 ka bërë progres të rëndësishëm, kah qëllimi fundamental, megjithatë mbeten dallime të rëndësishme”, tha John Kerry sot në një konferencë për gazetarë në Llozanë të Zvicrës.

Grupi P5 +1, që e përmendi zoti Kerry, janë pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA-të, Britania, Franca, Rusia dhe Kina, plus Gjermania.

Përfaqësuesit e këtyre vendeve gjatë kësaj jave në Llozanë janë përpjekur të arrijnë marrëveshje për kufizimin e programit atomik të Iranit.

Derisa, Irani insiston se aktivitetet atomike të tij janë të natyrës krejtësisht paqësore, vendet perëndimore kanë shqetësime se ky program mund të shfrytëzohet për zhvillimin e armatimit bërthamor.