Kërkohet që BE t’i bëj presion Serbisë e jo Kosovës

E publikuar: 03/04/2019 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bllokimi i dialogut, moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, janë disa prej çështjeve që BE-ja duhet t’i bëj presion Serbisë.

Kohëve të fundit kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë deklarata dhe kritika të ashpra në drejtim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian e në veçanti ndaj Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, shkruan lajmi.net.

Njohësit e çështjeve politike thonë se kjo gjuhë e kryeministrit Haradinaj është pasqyrë e frustrimit të të gjithë qytetarëve ndaj Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, është Serbia ajo që e ka bllokuar dialogun me Kosovën për shkak të vendosjes së taksës dhe është shteti serb ai që nuk po i zbaton marrëveshjet që janë arritur në Bruksel.

Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për lajmi.net, se gjuha që po e përdor kryeministri Haradinaj ndaj BE-së nuk mund t’i përkeqësoj raportet BE-Kosovë.

Mushkolaj ka thënë se kjo gjuhë e kryeministrit është artikulim i frustrimit të të gjithë qytetarëve ndaj BE-së, për shkak të mosliberalizmit të vizave.

“ Në gjuhën e kryeministrit e shoh njëfarë gjuhe të artikulimit të frustrimit të gjithë kosovarëve karshi BE-së për shkak të qasjes që ka pasur BE-ja sidomos në rastin e liberalizimit të vizave. Të mos harrojmë se vet BE-ja e ka konfirmuar se të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave nga Kosova janë plotësuar ndërkohë që edne nuke  ka marrë vendimin që kosovarët të lëvizin të lirë. Në anën tjetër frustrimi po ashtu është i madh edhe karshi BE-së për dialogun me Serbinë për shkak se Serbia siç dihet nuk i ka përmbushur shumicën e marrëveshjeve që i ka arritur me Kosovën ndërkohë që presioni i BE-së nuk ka qenë i duhur ose ka munguar”, ka deklaruar Mushkolaj për lajmi.net.

Sipas tij, tash kur Kosova ka vendosur taksën ndaj Serbisë, BE-ja po i bën presion Kosovës, e në fakt siç tha ai, është Serbia ajo që e ka bllokuar dialogun.

“E tash kur Kosova vendosi taksën edhe Serbia po e kushtëzon dialogun, jo Kosova, presioni i BE-së prapë po është ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë dhe ky presion do të duhej të ishte mbi Serbinë”, u shpreh Mushkolaj.

Ai po ashtu ka thënë për lajmi.net, se gjuha e kryeministrit nuk mund t’i dëmtoj marrëdhëniet Kosovë-BE.

Mushkolaj, përsëri insiston se Bashkimi Evropian është dashur të tregohet shumë më korrekt me Kosovën.

“Unë nuk mendoj që kjo gjuhë e dëmton Kosovën në kuptimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, për shkak se Kosova e ka një marrëdhënie kontraktuale me BE-në që është ajo e MSA-së, por në anën tjetër fatkeqësisht po them BE-ja nuk është treguar korrekt karshi Kosovës nëse e kemi parasysh raportin që e ka pasur me Serbinë. Tash një prej arsyeve mund të jetë se BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet por, përkundër kësaj edhe po që se nuk e njeh si shtet për shkak të pesë vendeve që e kundërshtojnë një gjë të tillë, BE-ja është dashur të tregohet shumë më korrekte të paktën në liberalizim të vizave, pastaj edhe në çështjet e tjera siç është dialogu me Serbinë”, deklaroi Mushkolaj për lajmi.net.

Edhe profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, thotë se gjuha e kryeministrit Haradinaj ndaj Bashkimit Evropian nuk mund t’i dëmtoj raportet, pasi që siç thekson ai, Federica Mogherini nuk merr asnjë vendim për BE-në.

“ Nuk mendoj se gjuha që po e përdor kryeministri Haradinaj mundet me i dëmtu marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, për shkak se së pari Federica Mogherini nuk merr asnjë vendim për Bashkimin Evropian. E dyta deklaratat e zonjës Mogherini në shumë raste nuk kanë qenë në linjë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian sepse dihet që zonja Mogherini nuk mund të merr qëndrim për Bashkimin Evropian pa pajtimin e shteteve”, deklaroi Mazreku për lajmi.net, i cili shtoi se ka pasur shumë raste kur Mogherini ka pasur qëndrim krejtësisht të kundërt në raport me shtetet anëtare të BE-së.

Ai thotë se gjuha e kryeministrit Haradinaj, është qëndrim i shtetit.

“Kryeministri i vendit, ai e manifeston qëndrimin e shtetit tonë, në cilëndo gjuhë që ai vendos me e përdor është qëndrimi i shtetit të Kosovës në raport me një mospajtim apo pajtim eventual që artikulohet apo manifestohet përmes përfaqësuesve të shtetit”, ka thënë Mazreku.

Tutje Mazreku ka thënë se, qëndrimi i Federica Mogherinit ndaj Kosovës apo siç u shpreh ai, presioni i saj ndaj Kosovës ka të bëj personalisht me të.

Mazreku thotë se arsyeja e insistimit të Mogherinit që të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi, ka të bëj më shumë për përfitimet e saj në karrierë.

“ Zonja Mogherini në shumë raste e kemi parë që ka dalë përtej linjave dhe kompetencave të saj sidomos sa i përket rastit të Kosovës sepse duket që rasti i Kosovës si për pararendësen e saj zonjën Ashton si për zonjën Mogherini, duke e par parasysh që kjo tashmë është në fund të mandatit të saj, nga pikëpamja ime mendoj se kjo dëshiron që përmes rastit të Kosovës, përkatësisht bisedimeve Kosovë-Serbi, të vendos diçka në CV-në e saj si sukses në raport me atë çka përfaqëson ajo, si Përfaqësuese e Lartë e Politikën e Jashtme të BE-së”, u shpreh Mazreku.

Kujtojmë se për shkak të vendosjes së taksës nga 21 nëntori i vitit të kaluar, Serbia e ka bllokuar dialogun me Kosovës, kështu duke e kushtëzuar me heqjen e saj.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon të insistoj që kjo taksë do të hiqet vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo, kryeministri Haradinaj, duke e parë që zyrtarët e BE-së çështjen e taksës po shohin edhe si pengesë për liberalizimin e vizave, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, duke thënë se është pikërisht ajo që e ka devijuar dialogun me Serbinë. /