Kërkohet përgjegjësi institucionale për arratisjen e Gruevskit

E publikuar: 18/11/2018 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, konsiderojnë se rasti i arratisjes së ish kryeministrit të Maqedonisë nga vendi pas njoftimit të Gjykatës se ai duhet të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin prej dy vjetësh, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, “dëshmoi se institucionet e shtetit janë jofunksionale”.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, është zotuar se do të ketë përgjegjësi nëse hetimet që kanë nisur, dëshmojnë se ndonjë institucion apo individ është i përfshirë apo ka ndihmuar arratisjen e Gruevskit përmes lëshimeve eventuale.

Organizatat joqeveritare dhe opinioni publik përmes rrjeteve sociale kërkojnë që sa më parë të hetohen të gjitha organet gjyqësore, organet e sigurisë si dhe të gjitha institucionet nëse me qëllim apo nga neglizhenca, mosveprimi në kohën e duhur apo përmes lëshimeve të caktuara kanë mundësuar që ish kryeministri Nikolla Gruevski të arratiset nga Maqedonia.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se kush e ka ndihmuar Gruevskin të largohet nga vendi dhe të arrijë në Hungari pa pasaportë.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se arratisja e Nikolla Gruevskit nga Maqedonia në momentin që ai duhej të vuaj dënimin pasi kishte vendim të plotfuqishëm nga gjykata, ka nxjerrë në pah se shumë hallka të sistemit të drejtësisë dhe atij të sigurisë janë jo funksionale.

Musliu thotë se duhet analizuar me kujdes funksionaliteti i organeve gjyqësore, organeve të sigurisë, si dhe shërbimeve kufitare dhe për çdo lëshim, personat kompetent duhet të bartin përgjegjësi në të kundërtën reformat e qeverisë nuk do të sjellin asnjë rezultat.

“Unë mendoj se edhe opinioni nuk do të lejojë që ky rast të kalojë pa pasoja. Them jo vetëm pa pasoja rreth karrierës së individëve të caktuar që janë bartës të institucioneve por mendoj se do të duhet të përballen me drejtësinë të gjitha ata që në një mënyrë ose tjetër mundësuan që ish kryeministri Nikolla Gruevski të largohet nga Maqedonia.

Mendoj se disa mekanizma që janë prezent në sistemin tonë gjyqësorë duhet të ndryshojnë me qëllim që raste të këtilla të mos ndodhin më.

“Mendoj se opinioni do të insistojë madje e shohim se një gjë e tillë po ndodh edhe në mediat sociale, po edhe ato tradicionale kërkohet nga Qeveria përgjegjësi individuale për ata që krijuan mundësi për të ikur Gruevski nga Maqedonia, si dhe të bëhet pastrimi i të gjitha institucioneve që nga Bashkimi Evropian u definuan si institucione të kapura”, thotë Musliu.

Ndërkaq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja e Britanisë së Madhe në Maqedoni Rachel Gallowey, thotë se me rëndësi jetike ligji të vlejë për të gjithë njëlloj dhe askush mos t’i shmanget përgjegjësisë ligjore.

“Qëndrimi ynë në këtë drejtim është se sundimi i drejtësisë është me interes jetik për të ardhmen e Maqedonisë. Vendi doli nga kriza politike dhe që kjo të jetë e qëndrueshme dhe të rezultojë me sukses, duhet patur kujdes që të sundojë drejtësia për të gjithë”, tha Gallowey.

Ndryshe ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski të martën bëri të ditur se ndodhet në Hungari ku ka kërkuar dhe azil politik.

Njohësit e çështjeve politike thonë se arratisja e ish kryeministrit Nikolla Gruevski paraqet goditje jo vetëm për institucionet e shtetit, por edhe për partinë politike maqedonase në opozitë të cilën e ka drejtuar pothuajse një dekadë të plotë sepse në këtë formë ai dëshmon se është fajtor dhe ik nga përballja me drejtësinë duke shkaktuar revoltë tek anëtarësia e partisë.