Kërkohet paraburgim ndaj katër të arrestuarve për trafikim organesh në Prishtinë

E publikuar: 04/04/2019 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, caktimin e paraburgimit ndaj 4 të pandehurve, me dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore ”, nga neni 265 par.5, par.6 dhe par.7 lidhur me nenin 31 dhe nenin 40 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë aplikimit të masave teknike të vëzhgimit dhe hetimit, sipas urdhëresës së Gjykatës, më 02.04.2019, është bërë bastisja e një klinike private, në Çagllavicë të Prishtinës, me ç’ rast të njëjtit në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, pa autorizim, pa arsye mjekësore dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm në Kosovë: Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave Njerëzore, Ligji për Shëndetin Riprodhues dhe Ligji për Shëndetësi. Të njëjtit kanë bërë shitblerjen e organeve dhe qelizave vezore si dhe përcaktimin e gjinisë, ashtu që të dëmtuarave të gjinisë femërore, të cilat i ftojnë në këtë klinikë dhe ju premtojnë që nëse dhurojnë qeliza vezore mund të përfitojnë shumë të caktuar të parave, ndërsa qelizat e njëjta i ’u shiten në vlera shumë të mëdha personave tjerë në nevojë, tek të cilët bëhet transferimi i embrionit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 03.04.2019, ka paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj 4 të pandehurve, po ashtu, sot, më 04.04.2019, është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës./Infosot/