Kërkohet angazhim maksimal në vlerësimin PISA 2015

E publikuar: 08/04/2015 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në takimin e rregullt me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, theksoi rëndësinë e realizmit të planit qeveritar për ngritjen e cilësisë në arsim, përmes mobilizimit të nivelit qeverisës qendror dhe atij lokal, si akterët kryesorë në këtë fushë.

Bajrami, me këtë rast tha se, Ministria e Arsimit po vazhdon me angazhimin e saj në ndërtimin e standardit të cilësisë, në të gjitha nivelet e arsimit, nga arsimi parafillor deri te arsimi universitar.

Duke folur për rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në Programin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve PISA 2015, ministri Bajrami vlerësoi se, ky test ndërkombëtar do të jetë një shans i mirë për mbledhjen e informacioneve, mbi pasqyrimin e mësimnxënies në këtë fazë të shkollimit dhe ndryshimet e mundshme të politikave arsimore, njofton kumtesa komunale .

“Ky test ndërkombëtar ka për qëllim të vlerësojë shkallën e përvetësimit të Kurrikulës shkollore nga ana e nxënësve, andaj ju ftoj që të angazhoheni seriozisht në këtë vlerësim të rëndësishëm, sa i përket mbledhjes së të dhënave mbi njohuritë e nxënësve 15 vjeçarë në tri komponentë kryesorë: aftësitë në të lexuar, në matematikë dhe në shkenca tjera natyrore”, theksoi Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu tha se, është duke u punuar në reformimin e Provimit të Maturës Shtetërore, duke kaluar nga kriteri i kalueshmërisë në atë të arritshmërisë dhe duke mos e ulur aspak standardin e cilësisë.

Në takimin e sotëm, përfaqësues të GIZ-it prezantuan botimin e dytë të doracakut për “Qeverisjen e arsimit në komuna”, projekt i Ministrisë Arsimit i realizuar me mbështetjen e GIZ-it.

Në vlerësimin PISA 2015, i cili organizohet nga data 15- 25 prill 2015, do të përfshihen 225 shkolla dhe mbi 5 mijë nxënës të moshës 15 vjeçare.