Kërkesa e Qeverisë për “Trepçën” rrezikon të shpallet e papranueshme

E publikuar: 20/10/2016 08:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E papranueshme pritet të shpallet kërkesa e Qeverisë adresuar Gjykatës Kushtetuese përkitazi me suspendimin e të gjitha procedurave që lidhen me likuidimin e ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, shkruan sot “Koha ditore”.

Kjo për shkak se, mbështetur në Kushtetutë, ekzekutivi nuk është palë e autorizuar për të ngritur çështje të kësaj natyre.

Kërkesa e Qeverisë në Kushtetuese është ngritur pak ditë më parë, pasi deputetët serbë kanë kontestuar në të njëjtën gjykatë Ligjin për “Trepçën”, nëpërmjet të cilit shteti bëhet aksionar i tri njësive thelbësore të gjigantit metalurgjik – minierave me flotacion në Stan Tërg, minierave me flotacion në Kizhnicë dhe Artanë, si dhe minierave me flotacion në Leposaviq. Këto, por edhe 24 njësi tjera që ligji nuk i trajton, rrezikojnë të shkojnë në likuidim nga 2 nëntori, në rast se deri atëherë Gjykata Kushtetuese nuk e nxjerr verdiktin lidhur me kontestin e ngritur nga deputetët serbë ose nuk vendos ex-officio për masë të jashtëzakonshme. Kjo për shkak se ligji me të cilin ato njësi janë transformuar në shoqëri aksionare, nuk mund të hyjë në fuqi pa e dhënë verdiktin final Kushtetuesja.