Kërcënimet nga Specialja

E publikuar: 04/01/2019 09:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të ftuarit e parë nga Gjykata Speciale javën e ardhshme do të udhëtojnë për në Hagë. Christopher Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara, ka thënë për “Zërin” se nëse i thirruri nga Gjykata refuzon të dëshmojë ai ose ajo mund të burgoset, shkruan sot Gazeta “Zëri”. 

Prej javës së ardhshme pritet të udhëtojnë për në Hagë ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë ftuar nga Gjykata Speciale.

Ish-komandanti i përgjithshëm Sylejman Selimi, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa – “Remi” dhe ai i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku do të jenë të parët që do të nisen për në selinë e Speciales.

Por, zyrtarët e kësaj të fundit kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse të ftuarit e tyre refuzojnë të dëshmojnë, të njëjtit do të burgosen.

“Sipas ligjit, nëse i thirruri nga Gjykata refuzon të dëshmojë ai ose ajo mund të burgoset. Burgimi zgjat përderisa dëshmitari refuzon të dëshmojë ose derisa dëshmia e tij të bëhet e panevojshme, ose deri në përfundimin e procedurës penale, por nuk duhet të kalojë një muaj”, ka thënë për “Zërin” Christopher Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara