Kënga bashkon shqiptarët e serbët, koncert para ndeshjes në Elbasan Arena

E publikuar: 06/10/2015 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këngëtarët shqiptar dhe ata serbë, do të mbajnë një koncert në Elbasan me 7 tetor, me moton ‘Muzika bashkon njerëzit’

Një aktivitet i veçantë, do të mbahet në Elbasan me 7 tetor në të parin koncert të këtij lloji, që do t’i paraprijë ndeshjes Shqipëri ­ Serbi që luhet në stadiumin Elbasan Arena.

‘Living Room Entertainment’, ka organizuar këtë koncert i cili do të bashkojë emra të njohur të muzikës shqiptare dhe asaj serbe, si një koncert miqësie për të treguar se ajo çka na bashkon është më e fortë se ajo që na ndan dhe se arti nuk njeh kufij, shkruan “Panorama Sport”.

Organizatorët synojnë që përmes këtij koncerti të ofrojnë një mesazh qytetarie, duke ngjitur në të njëjtën skenë këngëtarë nga Shqipëria, Kosova e Serbia. Në koncert do të interpretojnë live këngëtarët serbë Marko Nikoliç, Ljubomir Sobotoviç, Milan Sijak, Filip Pat, Aleksandra Josiç dhe Amir Karaliç.

Ndërsa muzika shqiptare do të përfaqësohet nga Kamela Islamaj, Marsela Çibukaj dhe Eugent Bushpepa me grupin e tij, që do të sjellin live këngët më të njohura shqiptare të muzikës rock, ndërkohë që nga Kosova do të jenë këngëtarja me zërin e fuqishëm Flaka Krelani dhe grupi “Na”.

Në mbyllje, kënga “Imagine” e John Lenon do të bashkojë zërat e të gjithë artistëve. Koncerti do të zhvillohet në parkun prapa Kryeministrisë, të mërkurën, 7 tetor, ora 19:00.