Kelmendi tregon se për çka po flitet në takimet e LDK’së me VV’në

E publikuar: 19/07/2017 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri në largim dhe deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se, nëse PAN nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë, opozita do të provojë mundësitë e saj ligjore.

“Presidenti Thaçi e din se Gjykata Kushtetuese ka ndërrue shumë presidentë, prandaj mbetet me u pa nëse ia jep mandatin për formimin e qeverisë atyre që i kanë numrat”, thotë Kelmendi, duke shtuar se, nuk beson që Presidenti Thaçi do ta shkelë Kushtetutën.

Ai është shprehur se takimet me VV-në janë të nivelit teknik, dhe s’kanë të bëjnë me caktimin e emrave apo të pozitave.

“Gjatë këtyre takimeve teknike, mund të përafrohen qëndrimet me VV”, theksoi ai.
Ai ka thënë se nuk e voton Ramush Haradinajn për kryeministër, sepse është në koalicion me PDK-në.

“Ai është në koalicion me një parti që e ka votue mocionin e rrëzimit të Qeverisë”, tha Kelmendi, në emisionin “Rrokum Roll” të TV Rrokum.

Sa i përket punës së Qeverisë në largim, Kelmendi ka thënë se kurrë s’ka pasë qeveri më stabile.

“Është krijuar baza për qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare”, thotë ai.
Kelmendi ka thënë se, votimi eventual i qeverisë së PAN-it nga LDK kishte me qenë vërtetim i të vërtetës së mocionit të rrëzmit të Qeverisë.

“Kjo nuk na jep të drejtë me votue një kandidat që është pjesë e një koalicioni që ka marrë pjesë aktive në rrëzimin e Qeverisë, prandaj neve nuk na obligon asgjë  me votue”, ka sqaruar Kelmendi.