Kelmendi: Partia Socialdemokrate do ta ketë Kryetar Visar Ymerin, Shpend Ahmeti kandidat i saj për Kryeministër

E publikuar: 20/01/2018 21:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi, e ka bërë një analizë mbi zhvillimet e fundit në Vetëvendosje dhe ndarjen e saj. Kelmendi ka treguar se pas përçarjeve, do të formohet edhe Partia Socialdemokrate, të cilën siç thotë ai, do ta drejtoj Visar Ymeri. Kelmendi po ashtu në këtë analizë ka bërë me dije se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti do të jetë kandidat i saj për Kryeministër.
“Kryetar pritet të jetë Visar Ymeri. Dardan Molliqaj – sekretar i përgjithshëm, Dardan Sejdiu dhe/ose Aida Dërguti nënkryetarë. Shpend Ahmeti do të jetë kandidat për pozitat më të larta shtetërore (kryeministër, president)”, ka shkruar Kelmendi.

Ky është postimi i plotë i Kelmendit në Facebook:

Analiza është kjo:

Nga nesër Albin Kurti do të jetë sërish kryetar i Lëvizjes “Vetëvendosje!”.

Kështu politikani më i votuar në Kosovë, pas tërheqjes trivjeçare, kur ia liroi vendin si kandidatit të vetëm atëbotë, Visar Ymerit, do të kthehet në krye të organizatës/partisë të cilën e kishte themeluar 12 vjet më parë.

Me këtë rikthim të Kurtit, të dielën, do të shënohet edhe nisja e ditënumrimit të lindjes së një partie të re.

Sado që gjatë javëve të fundit ka pasur nisiativa e veprime nën pretekstin e arritjes së një konsensusi që Lëvizja “Vetëvendosje!” të mbetet e pandarë, ato janë përcjellur me mungesë vullneti.

Thjesht, edhe Kurti është ndjerë më rehat me largimin e një grupi, duke u mjaftuar me përkrahjen e parezervë të mveshur me idolatri nga grupi që do mbetet. Në anën tjetër, edhe grupi që po largohet nuk ka besuar më në të ardhmen e përbashkët të një “Vetëvendosje!”-je të udhëhequr prej Kurtit.

Kështu që, pavarësisht se si mund të duket në shikim të parë, jo shumë dramaticitet do të ketë në këtë ndarje.

Partia e re do të jetë e orientimit social-demokratik dhe pritet që edhe në emërtim të përmendet social social-demokracia (Lëvizja Socialdemokrate është një opsion, për të ruajtur diçka nga Lëvizja “Vetëvendosje!”).

Kryetar pritet të jetë Visar Ymeri. Dardan Molliqaj – sekretar i përgjithshëm, Dardan Sejdiu dhe/ose Aida Dërguti nënkryetarë. Shpend Ahmeti do të jetë kandidat për pozitat më të larta shtetërore (kryeministër, president).

Përveç të lartpërmendurve në partinë e re pritet të jenë edhe deputetët Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Faton Topalli, Donika Kadaj Bujupi, Fisnik Ismaili, Frashër Krasniqi etj., numër prej 13-14 gjithsejt.

Gjithashtu edhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të LVV-së./gazetaexpress/