Kelmendi: Nuk ia hapi telefonin Haradinajt

E publikuar: 22/06/2017 02:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ramiz Kelmendi nga LDK thotë se nuk do të votojë pro Ramush Haradinajt për kryeministër.

Emri i tij u përfshi në mesin e deputetëve që thuhet se “po peshkohen” nga koalicioni PAN për të siguruar votat e mjaftueshme që ky koalicion të krijojë qeverinë. Megjithatë, në Interaktiv të KTV-së, Kelmendi thotë se kjo nuk do të ndodhë dhe nuk do të votojë Haradinajn, sepse mendon që platforma ekonomike e koalicionit LAA është më e mirë se ajo e partive tjera.

“Unë jam zëvendëskryeministër. Ramush Haradinaj, partia e tij dhe partitë tjera kanë quar gishtin edhe për rrëzimin tim. Andaj mbështetja e Haradinajt nga ana ime do të ishte pranimi i platformës ekonomike të tyre në raport me ne. Këtë nuk mund të pranoj sepse platforma e LAA-së është më frytdhënëse, më pozitive sesa çdo platformë tjetër”, ka thënë ai.

Kelmendi thotë se as nuk ka biseduar pas zgjedhjeve me Haradinajn, madje ka shtuar se as nuk do t’ia hapë telefonin. “As nuk kam biseduar me të. As nuk do t’ia hap telefonin Haradinajt”.

Sipas Kelmendit, rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit është kuptuar qartë nga LDK-ja si votë ndëshkuese për bashkëpunimin e fundit që pati me PDK-në. Ai thotë se partia e tij është e hapur edhe që të qëndrojë në opozitë, por në asnjë mënyrë më nuk do të pranojë bashkëpunim me PDK-në. Kelmendi thotë se pranon të bashkëpunojnë me partitë tjera, me kushtin që LDK të marrë qeverisjen.

“LDK ka pranuar ndëshkimin për koalicionin e fundit me PDK-në. Ne nuk do të bëjmë më koalicion me këta që na shkarkuan. Është problem që të bëjmë koalicion me ata që na kanë shkarkuar. Me PDK-në ekziston një vendim zyrtar që e mbështes deri në fund”, ka shtuar ai.