Kelmendi: Jam i gatshëm të kontribuojë në Qeverinë e Kosovës

E publikuar: 07/03/2016 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh pronari i rrjetit të qendrave tregtare ETC dhe Kompanisë “Elkos Group”, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se vazhdimisht ka bërë rekomandime në drejtim të institucioneve të Kosovës, për ta përmirësuar ambientin ekonomik në Kosovë.

Kelmendi ka thënë se ligji për investime strategjike është selektiv, sepse sipas tij, nuk stimulohen bizneset që kanë investime të vogla, e që punësojnë numër të madh të njerëzve, por privilegjohen bizneset që kanë investime të mëdha e që nuk punësojnë shumë njerëz.

“Ligji të jetë më fleksibil, pa pika kufizuese të ashpra. Nuk kam qenë simaptizantë i ligjeve që seleksionojnë biznese. Kam qenë pro ligjeve qe i fuqizojnë ato”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka theksuar se punësimin e njerëzve e bëjnë veprimtaritë ekonomike private, me theks të veçantë veprimtaritë prodhuese, duke shtuar se “kemi shumë kërkesa, jashtëzakonisht të arsyeshme, të prodhuesve vendor”.

“Nëse ne e bëjnë një analizë e shohim që investitorët vendorë e kontribuojnë në punësim me 85 për qind të të punësuarve, deri investitorët e jashtëm vetëm me 15 për qind. Pse institucionet e vendit të mos bisedojnë me investitorët vendor”, ka theksuar Kelmendi.

Ndërsa, i pyetur se a është duke negociuar që të bëhet pjesë e ekzekutivit kosovar, pas shkuarjes së ish – shefit të PDK-së, Hashim Thaçi, në presidencë, Kelmendi ka mohuar se është duke biseduar rreth kësaj çështje me kreun e partisë të cilës i takon.

“Nuk besoj se ka qytetar, as deputet, që nuk kishte me kontribu për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai që nuk e ka këtë dëshirë, nuk ka afinitet për zhvillim”, ka shtuar Kelmendi.